Maurizio Sarri rikthehet në konferencë për shtyp, para gazetarëve, pas problemit shëndetësor që pati. Po kështu, do të kthehet në stolin e bardhezinjve nesër, në transfertën me Fiorentinën. Një debutim të tillë nuk e priste, megjithatë dëshiron të shohë përpara: “Nuk është e thjeshtë të rrish jashtë, pasi një trajner duhet ta stërvisë ekipin dhe ta drejtojë nga pankina në ndeshje. Ishte e sikletshme, por stafi mjekësor më bëri të kuptoj se ishte më mirë të bëja një hap mbrapa tani, sesa ta bëja pushim më gjatë në të ardhmen. Falënderoj stafin mjekësor që më “përkëdheli” për 20 ditë. Kam mbajtur kontakte me stafin tim gjatë seancave stërvitore dhe kur ishin në pankinë. Unë nuk e konsideroj këtë debutim, sepse i kam përjetuar edhe ndeshjet e tjera shpirtërisht, ndonëse nuk kam marrë pjesë në to. Sigurisht që rikthimi në stol më bën të lumtur”.
Lista e Champions-it
“Duhet t’i shpjegoj zgjedhjet e mia. Unë fola për gjëra të pafavorshme në hartimin e listës, duke parë lojtarët në dispozicion, jo për situatën në përgjithësi. Ishte e qartë se duhej bërë një zgjedhje e vetme, federimi i 22 lojtarëve për Europën. Në situatën e Juventusit aktual, kjo nuk ishte e thjeshtë apo e pëlqyeshme për trajnerin. Unë bëra zgjedhjen, çka është pjesë e punës sime. Qartësisht nuk më pëlqen situata, sepse mbetën jashtë dy lojtarë shumë të rëndësishëm. Sidoqoftë, është një zgjedhje që konfirmon forcën e grupit tonë. Ne kemi një grup të gjerë lojtarësh, çka na detyron të bëjmë kësi zgjedhjesh”.
Fiorentina-Juve, formacioni
“Tani për tani mendoj për kampionatin, nga nesër në mbrëmje do të llogarisim edhe kupën e gjithçka tjetër. Jemi në një fazë ku skuadra duhet të gjejë një identitet të fortë, kur është më e vështirë të bësh rotacione. Këto të fundit, për dhjetë ditë, me siguri do të bëhen të domosdoshme. Në këtë fazë kam favorizuar një formacion që nuk do të jetë përfundimtari, por për momentin na jep diçka më shumë. Pra, shumë lojtarë që kanë luajtur pak në muajt e fundit do të kenë shansin e tyre. Këtu kam parasysh edhe dëmtimet e Khedira e Ramsey, si dhe vonesën në përgatitje të Rabiot. Këta lojtarë i vënë në vështirësi ata që kanë pasur më shumë vazhdimësi aktivizimi deri tani. Aspekti pozitiv është se ky grup po punon mirë”.
Emre Can, Bentancur dhe Ramsey
“Reagimi i Emre Can, pasi u përjashtua nga lista e Champions-it? Unë, gjithashtu, duhet të marr parasysh aspektin emocional, duke i dhënë lojtarit mundësinë që të reflektojë e më pas të ballafaqohemi, kur situata të jetë më e qetë. Mendoj se kam moshën e duhur për t’i kuptuar lloje të caktuara të reagimit të lojtarëve. A e kam identifikuar Bentancur si zëvendës të Pjanic? Unë jam shumë kurioz për të. Në stërvitje kam ndjesi të mëdha. Për momentin nuk është aq specialist sa Pjanic, por kam ndjenjën se mund të bëhet një lojtar i rëndësishëm. Ramsey vjen nga një dëmtim. Deri para dhjetë ditësh do të thoja se ishte shumë larg nga pikëpamja fizike, por kam parë përparim të madh tek ai në këto ditë. Nëse vazhdon me ritmin e këtyre ditëve, së shpejti mund të kthehet në nivele të mira”.
Chiellini dhe De Ligt
“Fatkeqësisht e kemi humbur Chiellini-n, ndaj detyra ime është të rikuperoj formën e Ruganit. Dhe të bëj De Ligt të mësohet me futbollin italian, pasi ishte normale që do të kishte vështirësi. Në pak muaj do të jetë i gatshëm për të bërë gjëra të rëndësishme në Serie A, te Juventusi”.
Sarri, Juventusi dhe Napoli
“Asnjëherë nuk kam menduar se fitoret e Juventusit ishin falë ndihmës së dikujt, por se ishte skuadra më e fortë. Polemikat e viteve të kaluara, kur drejtoja Napolin? Mund të diskutojmë për ndonjë episod, kjo është normale. Me Napolin nuk e humbëm kampionatin për 10 pikë ndaj Juventusit, ndaj ai episod (tregimi i gishtit të mesit për tifozët bardhezinj) ishte reagim në gjaknxehtësi e sipër. Kur e humbet titullin në sprintin final të djeg shumë, ndaj gjykimi duhet bërë nga ky këndvështrim”.