Një rrjet i trafikut të drogës që drejtohej nga 2 shqiptarë është shkatërruar nga policia peruane ditën e djeshme.
Mediat vendase shkruajnë se gjatë operacionit janë sekuestruar 2.2 ton kokainë që dërgohej në rrugë detare në Holandë e fshehur në kanaçe me asparagus. Në pranga janë vënë 7 shtetas peruanë ndërkohë që janë shpallur në kërkim 2 shqiptarët që drejtonin trafikun e drogës.
“Ne kemi sekuestruar 2 ton kokainë që ishte nisur drejt Holandës” tha në një deklaratë kreu i Drejtorisë së Anti-Drogës në Peru nga porti i Callao.
Ai theksoi se shqiptarët ndodheshin në krye të grupit që trafikonin lëndën narkotike që kishte për destinacion portin e Roterdamit në Holandë.
“Kjo është një organizatë kriminale me lidhje në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri. Ne po koordinohemi me autoritetet ndërkombëtare për të zbuluar vendndodhjen e 2 shqiptarëve që kanë mbërritur në vendin tonë në koordinim me mafien shqiptare”, u shpreh ai.