Aktualitet Sekuestrohen 8 milionë euro pasuri të paluajtshme në Himarë, Dhërmi dhe Gjilekë

Sekuestrohen 8 milionë euro pasuri të paluajtshme në Himarë, Dhërmi dhe Gjilekë

Policia e Vlorës ka ekzekutuar vendimin e gjykatës për sekuestro preventive të një sipërfaqeje në bregdetin e jugut.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në vijim të fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Formulari”, u bë ekzekutimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 59 889 metra katrorë, me vlerë 8 000 000 euro, në zona bregdetare, në Himarë, Dhërmi dhe Gjilekë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit K. M., 54 vjeç dhe H. M., 60 vjeç, pasi dyshohet se nëpërmjet korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve, kanë përfituar sipërfaqe toke, në zonën e Soronesë, Xarë.

3 ditë më parë, me vendim të Gjykatës së Vlorës, policia ka ekzekutuar vendimin e arrestit në shtëpi për ish-kryetarin e Qarkut të Vlorës, Anesti Dhimojani. Ndërsa ka arrestuar 6 persona të tjerë të dyshuar për tjetërsimin e tokave, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

Ndërkohë, 8 persona të tjerë po hetohen nën masat e sigurisë arrest shtëpie dhe po kaq po hetohen në gjendje të lirë.

Këto arrestime erdhën një vit pas arrestimit të ish-kryetarit të Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, të cilit iu gjetën 65 000 euro, si dhe një numër i konsiderueshëm formularësh të marrjes së tokës në pronësi, që dyshoheshin se falsifikoheshin nga Troci dhe bashkëpunëtorët e tij.