Ndërsa Shtetet e Bashkuara bëhen gati të shënojnë 50 vjetorin e zbarkimit të njeriut të parë në Hënë, zëvendës presidenti amerikan Mike Pence njoftoi se po planifikojnë të rikthehen në satelitin natyror të tokës brenda 5 viteve të ardhshme.
Gjatë një fjalimi në qendrën hapësinore dhe raketore amerikane në Huntsville të Alabamës, numri dy i Uashingtonit tha se objektivi i mëparshëm për t’u rikthyer në Hënë në 2028 nuk ishte aq ambicioz.
Sipas tij edhe në 1962 kishte nga ata që mendonin se misioni ishte shumë i rrezikshëm dhe i shtrenjtë.
”Ka ardhur koha që të bëjmë hapin e madh dhe të kthejmë astronaut në hënë, të ngremë një bazë të përhershme atje dhe të zhvillojmë teknologjitë për t’i çuar amerikanët në Mars e përtej”, tha Mike Pence, zv. president i SHBA.
Pence ia faturoi sistemit hapësinor të hedhjes, SLS, fajin për mungesën e progresit në rikthimin e amerikanëve në Hënë. Sipas tij ai ishte prekur nga paraliza e analizave dhe inercia burokratike.
E megjithatë në projektbuxhetin e fundit, administrate Trump propozoi reduktimin e financimeve për sistemin me 15 përqind. Vendosja e një objektivi kaq ambicioz, qe pritet të kushtojë dhjetëra miliarda dollarë, vjen ndërsa Nasa po mbështet kryesisht në ndihmën e partnerëve privatë për misionet hapësinore nga toka amerikane.
Iniciativa nxjerr në pah dëshirën e Donald Trump për të caktuar një objektiv të ri kombëtar në prag të zgjedhjeve duke u përpjekur njëkohësisht të sfidojë aftësitë e Kinës dhe Rusisë.