Bota “SHBA-Kinë, një konflikt që ka shumë gjasa të rrëshqasë drejt një lufte...

“SHBA-Kinë, një konflikt që ka shumë gjasa të rrëshqasë drejt një lufte të madhe”

Intervistoi: Bernhard Zand

“2034”, kështu quhet libri me autorë shkrimtarin Elliot Ackerman, një veteran i luftës në Afganistan dhe ish-kreun suprem të Forcave Aleate në Europë, Admiralin James Stavridis, i cili ka provokuar reagime dhe debate. Libri cilësohet si një thriller gjeopolitik dhe në të parashikohet, apo imagjinohet një konflikt mes Kinës dhe SHBA që shkon deri në përdorim të armëve bërthamore taktike. Lidhur me këtë libër, Stavridis flet në një intervistë për revistën gjermane “Spiegel” përmes së cilës analizon kompleksitetin e marrëdhënieve mes Kinës dhe SHBA duke theksuar se ideja e një konflikti të armatosur është shumë reale, madje edhe e afërt në kohë.

Admiral Stavridis, sa afër konfrontimit ushtarak janë sot Kina dhe SHBA?

Shumë nga reagimet kritike për librin kanë qenë të mendimit: libër i shkëlqyer. Data është gabim. Nuk është viti 2034, ndoshta është 2024 ose 2026. Çdo mik i imi i ushtrisë më ka shkruar: “Ke shkruar një rrëfim të kujdesshëm rreth një lufte që mendon se është 10-15 vjet larg, por shumë prej nesh besojnë se do të vijë më shpejt”. Dhe ka një dëshmi publike për këtë fakt. Vetëm tri javë më parë, Admirali Philip S. Davidson, që është komandanti i të gjitha forcave amerikane në rajonin e Indo-Paqësorit, ka folur për mundësinë e një lufte për Tajvanin brenda gjashtë vjetëve. Si SHBA, ashtu edhe Kina kanë vënë në veprim anije dhe avionë ushtarakë, pranë njëri tjetrit në detin e Kinës Jugore.

Dhe Kina me SHBA kanë shumë mosmarrëveshje politike.

Kjo është e vërtetë – rreth statusit të Tajvanit, rreth çështjes se kush e posedon detin e Kinës Jugore, rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë, për situatën e ujgurëve. Mund të vazhdoj në këtë drejtim. Nëse krimi ndodh aty ku motivi takohet me mundësinë, atëherë këto janë dy kombe që kanë mundësinë, për shkak të këtyre flotave të armatosura rëndë dhe motivin – për shkak të paketës së mosmarrëveshjeve mes tyre.

Debatet politike në të dyja anët japin përshtypjen se konflikti ushtarak është thuajse i pashmangshëm. Graham Allison paralajmëron për “Kurthin e Tukiditit”. Në histori, thotë ai, kur një fuqi e madhe kapet me një tjetër ka çuar thuajse përherë në luftë.

Jam i shqetësuar për këtë debat dhe historia nuk është inkurajuese. Graham Allison u kthye 2 500 vjet pas në Athinën dhe Spartën antike dhe pa se çfarë ndodhi kur një fuqi e madhe sfidohet nga një fuqi në rritje. Hera e fundit kur kjo ndodhi tingëllon familjare për gjermanët: ishte kur Perandoria Britanike u sfidua nga Gjermania e Kajzerit. Arsyeja që ne shkruam “2034” nuk ishte për të parashikuar një konflikt, por për të paralajmëruar njerëzit, për të shkruar një rrëfim të kujdesshëm që mund të na lejojë të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë për të shmangur rrëshkitjen në një luftë të madhe.

James Stavridis

Ju keni thënë se “2034” duhet të “trondisë” lexuesit – që me siguri tronditen. A u trembët ju vetë teksa e shkruanit? A ju ka shkuar në mendje se po shkruanit diçka profetike?

Absolutisht. Veçanërisht me disa prej këtyre incidenteve që kanë ndodhur në det. Kam qenë aty. Kam komanduar destrojerë. Kam qenë në komandë të një flotiljeje destrojerësh në detin e Kinës Jugore. E njoh mirë këtë situatë.

Në librin “2034” Kina ka fituar një supremaci kibernetike dhe e dëmton SHBA-në teknologjikisht. Sa realist është një skenar i tillë, nisur nga fakti se buxheti i mbrojtjes së SHBA është aktualisht tre herë më i madh sesa ai i Kinës?

Dy pika: kush mund ta parashikonte 11 shtatorin? Kush mund ta parashikonte luftën 20 vjeçare në Afganistan? Kush mund ta parashikonte pandeminë që ka mbyllur shoqëritë tona? Qeniet njerëzore priren të mendojnë se e nesërmja do të jetë si e sotmja. Por ka përherë thyerje dhe surpriza.

Dhe pika e dytë?

Kina po shpenzon paratë e veta me shumë zgjuarësi. Ata janë shumë të përqendruar – jo vetëm në armët ofensive kibernetike, por gjithashtu në operacionet në hapësirë, raketat hipersonike të komanduara dhe teknologjitë stealth. Kina ka qenë dëshmitare sesi SHBA ka shpenzuar triliona dollarë, është përfshirë në dy luftëra të kushtueshme në Irak dhe Afganistan dhe ka thënë me vete: “Nuk kemi nevojë për këtë. Nuk kemi për të hyrë në luftëra të tilla. Ne do të shpenzojmë me shumë zgjuarsi”.

Në romanin tuaj, armët kibernetike luajnë një rol të ngjashëm me atë të armëve bërthamore në Luftën e Ftohtë. A është e imagjinueshme që një ditë të ketë bisedime për çarmatimin kibernetik, të ngjashme me ato mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik rreth 50 vjet më parë?

Ne duhet të mbërrijmë aty sa më parë të jetë e mundur. Armët kibernetike ofensive janë përherë e më të afta për paralizimin e kompleksit elektrik, sistemit të transportit, ndikimin e ujësjellësit dhe shkatërrimin e sistemeve financiare. Për të gjitha këto arsye, ne duhet shumë shpejt të hyjmë të paktën në bisedime mes SHBA, Rusisë dhe Kinës për këtë çështje. Mendoj se armët bërthamore janë një shembull i arsyeshëm. Problemi është se është shumë më e vështirë të dish me saktësi se kush po të sulmon në mjedisin kibernetik në dallim me atë të një rakete balistike që mund ta gjurmosh teksa fluturon drejt vendit tuaj. Dhe për fat të keq është shumë më e lehtë të përhapësh një teknikë kibernetike sesa të ndërtosh një armë bërthamore masive. Shtete si Irani, Korea e Veriut dhe Izraeli po përmirësojnë kapacitetet e tyre në këtë fushë. Kështu që sa më shpejt që tre të Mëdhenjtë – SHBA, Rusia dhe Kina –të bëhen bashkë dhe vendosin shembullin, aq më mirë.

Fuqia ushtarake e projekton SHBA si forcë globale. Kina deklaron se do vetëm të kontrollojë fqinjët e vet në detin e Kinës Jugore – siç bënte SHBA nga fillimi i shekullit të 19-të në Karaibe. Çfarë nuk shkon me këtë argument?

SHBA nuk pretendonte sovranitet territorial mbi detin e Karaibeve, Gjirin e Meksikës dhe ujërat e Amerikës së Jugut. SHBA thoshte: Këta janë fqinjët tanë dhe ne do të jemi një fuqi ushtarake këtu. Por ne nuk pretendojmë zotërim territorial të këtyre ujërave. Kina po bën pikërisht këtë gjë. Kjo duhet të shqetësojë komunitetin ndërkombëtar përtej gjithçkaje tjetër që Kina po bën. Deti i Kinës Jugore është gjysma e përmasës së Europës Perëndimore. Nëse ne thjesht u themi kinezëve: dakord, e dimë që nuk keni ambicie real globale, vazhdoni dhe merreni detin e Kinës Jugore – ky është një shkatërrim, është fundi i Ligjit të Traktatit të Detit. Atëherë çdo komb do të nisë shpalljen e pretendimeve mbi sipërfaqe ujore. Do të ishte shembulli i parë.

Dhe i dyti?

Kina po ndërton një flotë masive. Ka më shumë anije sot sesa SHBA. Nëse gjithçka duan kinezët, është patrullimi i detit të Kinës Jugore – pse po ndërtojnë aeroplanmbajtëse bërthamore, pse po ndërtojnë luftanije të mëdha? Pse po i dislokojnë ato në detin Balltik dhe në Mesdheun Lindor? Pse po ndërtojnë një bazë në Bririn e Afrikës?

Kina ka 3 baza ushtarake jashtë vendit, SHBA ka 800.

Një pjesë e madhe e infrastrukturës së SHBA jashtë vendit është krijuar për shkak të kërkesës së aleatëve tanë. Kur ne flasim për lëvizjen e 8000 trupave nga Gjermania, atëherë kjo e fundit nuk e pëlqen një gjë të tillë. Çfarë ndodh në Japoni, çfarë ndodh në Korenë e Jugut? Ky është një rrjet aleatësh, partnerësh dhe miqsh, ndërtuar dhe dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe ne jemi aty me kosto domethënëse tonat sepse aleatët tanë na duan aty. Dhe për numrin 800: ka ndoshta 50 baza me rëndësi ku ka me mijëra trupa.

Sërish më shumë se çdo forcë tjetër.

Është ky një argument për reduktimin e pranisë globale amerikane? Dakord, Donald Trump me siguri mendonte kështu dhe ai po niste sjelljen e trupave në SHBA. Aleatët tanë nuk e pëlqejnë shumë një gjë të tillë. Dhe Kina ka shumë baza. Me dallimin se ato nuk janë ushtarake, ato kontrollojnë porte në vende si Sri Lanka. Kina sapo ka firmosur një marrëveshje të rëndësishme me Iranin – që figuron në tekst si një aleat shumë i ngushtë i Kinës. Mendoj se është shumë realiste për t’u arritur nga mesi i shekullit.

A po kopjon Kina, SHBA-në?

Po mban shënim atë se çfarë SHBA ka bërë. Nëse Kina thotë se nuk ka traditë në kontrollin global, kjo është e saktë në kontekstin historik të Kinës. Por ajo çfarë Kina po bën tani bie ndesh me këtë deklaratë. Dhe kjo ka sinjalizuar alarm për ne. dhe nëse dëgjon presidentin Xi Jinping kur ai flet për atë se ku do të jetë Kina në mesin e këtij shekulli, për mua tingëllon shumë si një prani globale domethënëse. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të shkojmë në luftë. Ne nuk duhet të shkojmë në luftë, ne duhet ta shmangim një gjë të tillë. por do të ishte budallallëk të mbyllim sytë e të themi se Kina nuk ka për të qenë një problem.

Si ish-Komandant Suprem Aleat në Europë, komandanti kryesor i NATO-s, mendoni se Perëndimi ka nevojë për një Organizatë të Traktatit të Paqësorit për të mbajtur nën kontroll KInën?

Nuk mendoj se Azia e dorëzon veten në strukturën formale të NATO-s. por mendoj se mund të ketë marrëveshje të përshtatura nëse mund të themi dhe një shembull i mirë është ajo që quhet QUAD: SHBA, Japoni, Indi dhe Australi. Nuk mund të gjesh katër kombe që janë më të ndryshëm se këta të katërt por ata janë bërë bashkë dhe po sigurojnë një balancë ndaj këtij kapaciteti në rritje të Kinës. Dhe të katërt shohin Kinën dhe kanë disa shqetësime: India, për shkak të asaj që ndodh në Himalaje, Japonia për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale me Kinën mbi ishujt Senkaku, Australi për shkak të praktikave tregtare kineze.

***

Gjermania po planifikon të dërgojë një fregatë në Paqësorin Perëndimor këtë fund viti. Mendoni se kjo është një ide e mirë?

Këto janë vendime për popullin e Gjermanisë dhe kancelaren Angela Merkel për të cilët unë kam admirim të jashtëzakonshëm. Nga perspektiva e SHBA-së, ne jemi të lumtur, madje entuziastë kur aleatët tanë zgjedhin të veprojnë me ne në Detin e Kinës Jugore. Dërgon një sinjal Kinës se nuk i zotëron këto ujëra. Këto janë ujëra ndërkombëtare. Është shumë e rëndësishme kur shtete të tjera demonstrojnë me anijet e tyre – dhe në fakt kjo është ajo që duhet të bëni: Thjesht lundroni në ato ujëra, valëviteni atë flamurin gjerman, fluturoni helikopterin tuaj dhe ndizeni radarin tuaj ushtarak.

Si mund të ndërpritet një spirale përshkallëzimi?

Në nivelin taktik ne kemi nevojë për më shumë mekanizma komunikimi. Nuk ka një linjë të nxehtë siç ndodhte gjatë Luftës së Ftohtë mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-ve. Nuk ka një marrëveshje formale siç kishim gjatë Luftës së Ftohtë për kontrollin e incidenteve në det…Kjo do të krijonte zona tampon mes platformave ushtarake. Do të thoash: ja sa afër mund të fluturojë një avion ndaj një anijeje ushtarake, këtu nuk mund ta ndezësh një radar ushtarak.

***

Çfarë duhet përtej nivelit taktik, në një nivel strategjik dhe politik?

Të dyja palët kanë nevojë për një strategji që të përballen me tjetrin; strategji që të jetë e qartë dhe të përcaktojë vijat e kuqe. Ne po ashtu kemi nevojë të analizojmë strukturat e aleancës. Një pjesë e madhe e asaj pse Europa ia doli të mobilizohet në një luftë botërore në vitin 1914 ishte ekzistenca e një rrjeti traktatesh që vinte shtetet nën një presion reciprok. Dhe në fund, ka një bashkësi zgjidhjesh teknologjike që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen, hapësirën, vëzhgimin shikimin dhe evidentimin e anës tjetër të asaj që sheh – protokolle të cilat krijojnë mundësinë e frenimit. Traktati i Qiejve të Hapur, p.sh, nga i cili administrata Trump u largua në mënyrë budallaqe. Ku është marrëveshja e Qiejve të Hapur në Azi?

Përkthimi me shkurtime: ResPublica