Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu zhgënjim dhe kritikoi autoritetet në Kosovë, për mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit.
Një zëdhënës tha për Zërin e Amerikës se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtar dhe se ai përshkallëzon tensionet.
“Ai minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE”, tha ai.
Zëdhënësi vë në dukje se Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar koordinim mes qeverive të të dyja vendeve në mënyrë që ta mbështesin përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.
Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj”.
Banka Postare Kursimore është institucioni që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë.
Autoritetet në Prishtinë thanë se banka ishte ilegale dhe se me operacionin për mbylljen e njësive të saj synonin të “vendosnin rendin dhe ligjshmërinë”.
Siç bëhet e ditur në operacion janë konfiskuar “1 600 000 euro, 74 700 000 dinarë, 19 500 franga, 13 800 dollarë amerikanë, 40 dollarë australianë si dhe dokumente dhe prova tjera”.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla shkroi në rrjetet sociale se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi i tyre”.