Pak para se të deklaronte se administrata e tij do të tërhiqej nga traktati i Kombeve të Bashkuara për armët, dikush nga plateja është përpjekur të qëllojë presidentin amerikan Donald Trump me një telefon.
Kamerat kanë filmuar vetëm momentin që telefoni ka fluturuar shumë pranë kreut të Shtëpisë së Bardhë teksa ai i afrohej podiumit.
Në fjalën e mbajtur përpara shoqatës kombëtare të pushkëve NRA në Indianapolis, Presidenti amerikane tha se do ta hiqte statusin e vendit si firmëtar i këtij traktati që mbikëqyr armët konvencionale, përfshire ato të vogla, tanket e betejës, avionet luftarake e luftanijet.
“Administrata ime nuk do ta ratifikojë kurrë traktatin e armëve të OKB-se. Do ta kthejmë firmën tone mbrapsht. Kombet e Bashkuara do të njoftohen shumë shpejt se Amerika po e refuzon këtë traktat.
Nën administratën time ne kurrë nuk do ta dorëzojmë sovranitetin amerikan, e nuk do t’i lejojmë burokratët e huaj të nëpërkëmbin amendamentin tonë të dytë”, tha Trump.
Shtetet e Bashkuara e nënshkruan traktatin në 2013-ën, në kohën e Barak Obamës, por nuk e ratifikuan asnjëherë. NRA-ja ka pretenduar me kohë se ai përbente një kërcenim për amendamentin e dytë të Kushtetutës amerikane, i cili përkrah të drejtën e armëmbajtjes.
Lëvizja e Trump ka tërhequr mjaft kritika; për ligjvënësit demokrat Bob Menendez, ky është një tjetër vendim dritëshkurtër, që rrezikon sigurinë e Amerikës me premtime false, në një kohë kur amerikanët e kanë parë me dhimbje se çfarë ndodh kur armët të bien në duar të gabuara. Shtetet e Bashkuara janë eksportuesi numër një i armëve në botë, me shitje 58% më të larta se të Rusisë.