Kryesore Shefi i NATO-s pret Ramën: Baza e Kuçovës, qendër për mjaft operacione

Shefi i NATO-s pret Ramën: Baza e Kuçovës, qendër për mjaft operacione

Kryeministri Edi Rama u shpreh pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë angazhimin e saj sa i takon buxhetit të dedikuar për NATO-n, pavarësisht situatës së rindërtimit që gjendet vendi pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Dua të rikonfirmoj atë se çfarë konfirmova edhe në samitin e NATO-s dhe në takimin tonë privat që Shqipëria, përtej nevojës për të riformësuar buxhetin e vetë dhe për të trajtuar nevojat për operacionin e madhe të rindërtimit, i mbetet angazhimit të saj për buxhetin e dedikuar për NATO-n dhe do të vijojë t’i përmbahet këtij angazhimi dhe të përmbushë objektin e vendosur në Uells”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri foli edhe për rivendosjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, duke theksuar se kjo duhet të ndiqet edhe nga vendet e rajonit. “Ju falënderoj që keni qenë kaq mbështetës në rajon dhe sidomos së fundmi, duke mbështetur zhvillimin shumë të mirëpritur mes Prishtinës dhe Beogradin për rivendosjen e linjës ajrore. Është një hap shumë i rëndësishëm dhe jam dakord me ju që është një hap që duhet të ndiqet nga të tjerë në procesin e zhvillimit rajonal”, i u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, Stoltenberg tha se është e rëndësishme që NATO të investojë në infrastrukturë në vendin tonë. “Investimi në bazën ajrore të Kuçovës është domethënës, kemi vendosur ta bëjmë dhe po shtyjmë që të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo bazë mund të shërbejë si qendër për mjaft operacione, siç është ruajtja e sigurisë së hapësirës ajrore dhe trajnime”, u shpreh ai.

I pyetur për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, Stoltenberg tha se nuk ka rrugë tjetër veç rifillimit të bisedimeve. “Mbështesim fort dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Besojmë që është e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje politike të gjatë e të qëndrueshme të konfliktit”, tha Stoltenberg.