Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka komentuar sot zërat për një bashkëqeverisje të mundshme mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Në një intervistë për Report Tv, Shehi deklaroi se si Basha dhe Berisha, të dy kanë faj për situatën ku e kanë futur PD-në dhe se asnjë dramë nuk do të kishte nëse do të tërhiqeshin që të dy.
“Në këtë lloj historie kanë të dy faj. Nuk e quaj ndonjë dramë të madhe edhe nëse do të tërhiqeshin që të dy. Basha ka 8 vite aty që e di shumë mirë që ka një njeri tjetër aty dhe duhet të kishte vepruar. S’kishte pse priste aleancën me Amerikën. Kjo është një dobësi e Bashës. Ndërsa Berisha duhet të kuptojë që vjen një moment që duhet të kuptojë që është fatlum, ka qeverisur si president, si kryeministër dhe kaq është e mjaftueshme për një cikël politik. Edhe populli thotë ‘më bëj nuse edhe një herë…’, nuk thotë ‘më bëj 3 herë’.
Megjithatë e thashë që debate të tilla ndihmojnë. Por nëse debati përfundon që Berisha na udhëheq drejt fitoreve të mëdha kjo do të ishte grotesk i madh. Kush e ushqen idenë se Berisha është shpëtimtari dhe duhet të rikthehet për mua është i gabuar. Aq sa është e gabuar edhe ajo që bëri z. Basha. Duhet të kishte gjetur si burrat një rrugë tjetër. Kjo është përgjegjësia e një shefi partie që ka shumë vite që rri shef partie. Siç i mbylli çështjet për problemet e veta brenda partisë ashtu duhet t’i kishte zgjidhur edhe këto të tjera”, tha Shehi.