Protesta kombëtare e thirrur nga opozita e bashkuar në 16 Mars do të përcaktojë edhe radikalizimin e aksionit opozitar.
Aleatët e Lulzim Bashës të cilët qëndruan për afro një orë në zyrën e kreut të demokratëve nuk e përjashtuan idenë e marrjes së një tjetër vendimi ekstrem pas lënies së mandateve, siç është tërheqja e të zgjedhurve lokalë demokratë.
“Këto do të diskutohen pas datës 16. Të jeni të sigurt që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë. Në të gjitha institucionet, në të gjithë hapësirën shoqërore, politike dhe ndërkombëtare. Këtë do e përcaktojmë pas datës 16 Mars kur do të jetë dhe protesta e madhe”, tha Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi.
Koordinimi i aksionit opozitar dhe protestat që do të nisin e atë të së enjtes përpara parlamentit ishin një tjetër temë diskutimi mes aleatëve.
“Opozita duhet të bëjë çdo gjë që do ta çojë Shqipërinë në binarët kushtetues dhe europian. Problemi më i madh i Shqipërisë është korrupsioni”, tha kryetari i PR-së, Fatmir Mediu.
Protesta e së enjtes do të jetë edhe në fokus të një tjetër takimi në orët e pasdites që Lulzim Basha do të zhvillojë me Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Tiranës.