Aktualitet Në Hipotekën e Durrësit punësohen 5 studentë ekselentë

Në Hipotekën e Durrësit punësohen 5 studentë ekselentë

Ministria e Drejtësisë njofton se në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës po rekrutohet staf profesional që qytetarët të marrin një shërbim sa më cilësor.

Pas një thirrje publike ZRPP Durrës zhvilloi një proces transparent dhe meritokratik në përputhje me legjislacionin në fuqi, ku gjithsej u emëruan 10 punonjës të rinj, ndër të cilët 5 studentë të ekselencës e njëri edhe me medalje ari. Të gjithë studentët e ekselencës që aplikuan janë rekrutuar. Thirrjes se zyrës qendrore ju përgjigjën rreth 100 persona.

Nevoja për të marrë punonjës të rinj, lindi pas largimit nga puna të 10 punonjësve të ZRPP Durrës dhe kontrollit të menjëhershëm të Task Forcës Antikorrupsion. Kontrolli evidentoi shkelje administrative, dhe rasti u denoncua në konferencën e përjavshme të Task Forcës Antikorrupsion.

Ministria e Drejtësisë njofton se masa të tjera të njëjta do të merren për të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në të cilat do të zëvendësohet stafi i cili nuk ofron shërbim me cilësi dhe profesionalizëm, me studentë të ekselencës.

“Pakti për Universitetin” i ofruar nga qeveria i cili tejkalonte dhe vetë kërkesat e studentëve, po zbatohet nga institucionet publike.

Ministria e Drejtësisë i bën thirrje publike studentëve ekselentë të aplikojnë në të gjitha institucionet shtetërore për tu bërë pjesë e administratës pasi ata janë të parët që do të përzgjidhen për çdo vend të lirë pune.

Nëpërmjet portalit punetembare.al që qeveria ka hapur, publikohen në mënyrë periodike vendet vakante për çdo institucion të administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil dhe ato jashtë shërbimit civil, specialist dhe të barazvlefshëm. Falë portalit punetembare.al Departamenti i Administratës Publike po zhvillon një proces nga ku do të punësohen 803 studentë ekselentë në administratë.