Aktualitet Sherri nisi me fjalë banale dhe përfundoi në vrasje të dyfishtë, si...

Sherri nisi me fjalë banale dhe përfundoi në vrasje të dyfishtë, si ndodhi tragjedia në Kavajë

Në një lokal në qendër të Kavajës, një sherr që duket se vijonte prej të paktën dy vitesh çoi në një vrasje të dyfishtë. Edmond Gosa alias Armand Gosa dhe Altin Rexha alias Sali Rexha, të dy 43 vjeç, vranë njëri-tjetrin këtë të mërkurë, duke qëlluar njëri me armë zjarri, e tjetri me thikë.

Mësohet se palët kanë nisur të zihen me fjalë fyese. Më pas Edmond Gosa ka goditur me thikë Rexhën, e ky i fundit është kundërpërgjigjur duke qëlluar të paktën 3 herë me armë zjarri në drejtim të bashkëmoshatarit të tij.

E gjithë ngjarja ndodhi në sy të dëshmitarëve të shumtë, të cilët u tronditën jo pak nga ngjarja e rëndë.

Shkaqet e konfliktit mes palëve momentalisht nuk janë të ditura. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Një banor është shprehur për gazetarët se i njihte të dy viktimat.

“Si nuk jemi tronditur. Kavaja është qytet i qetë s’ka ndodhur ndonjëherë, kurrë në botë. Janë nga Kavaja, si fytyra i njohim. Të jem i sinqertë nuk di gjë”, u shpreh një banor.

Një tjetër u shpreh se u trishtua shumë kur mësoi lajmin pasi në qytetin e Kavajës, ngjarje të tilla janë shumë të rralla.

“Çfarë të them unë. Unë u befasova se u bëra kurioz se ne shqiptarët jemi pak kuriozë për çdo gjë që ndodh. Pyeta këtë djalin dhe më tha janë vrarë dy djem. U trishtova në vend. Të ikin mosha e re kështu. Sido që të ishte puna nuk shkohet deri në atë përfundim, djem të rinj. Mund t’i njoh si fytyra, por nuk i njoh se këta janë djem të rinj besoj. Ne njohim moshën tonë në përgjithësi. I trishtuar shumë jam, Zoti i ruajtë të tjerët dhe Zoti i dhëntë forcë familjeve të tyre. Mos na ndodhin ngjarje të tilla më se qyteti jonë është qytet i qetë. Nuk ka pasur fenomene. E shumta një zënkë, para ’90. Kanë ardhur nga ana-anës dhe është përzier qyteti jonë”, tha banori.