Shi, erë dhe dëborë. Këtë javë Shqipëria do të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm me reshje shiu, por në zonat malore nuk do të mungojnë edhe reshjet e borës.
Gjithsesi sipas sinoptikanëve reshjet nuk do të jenë me intensitet të lartë, si ato të pak ditëve më parë kur shkaktuan përmbytje në veri të vendit.
“Pjesa e dytë e ditës së diel do të sjellë vranësira të shtuara të cilat do të sjellin reshje shiu në ultësirën perëndimore, reshje të cilat nuk do të jenë problematike. Ndërsa në zonat malore, do të kemi prezente reshjet e dëborës në Qarkun e Kukësit, por edhe juglindje në Pogradec, Korçë dhe Ersekë”, tha sinoptikani Hakil Osmani për Tv Klan.
Pas mesjavës reshjet e shiut do të jene më të dukshme në zonat jugore.
“Por duke filluar nga e mërkura do të kemi shpeshtim të vranësira në vendin tonë, më të dukshme në zonat jugore të cilat do të gjenerojnë reshje shiu dhe reshje dëbore mbi 1 mijë metra, nga niveli i detit. Më të dukshme në zonat jugperëndimore të territorit shqiptar. Herë pas here do të ketë edhe momente të pakta për rrebeshe shiu”.
Ky mot i paqëndrueshëm do të shoqërohet edhe me ulje temperaturash deri në -7 gradë.
“Vlerat minimale në qytetet e zonave malore do zbresin në -4 gradë, ndërsa në fshatrat e thella malore do kemi temperatura edhe -7 gradë Celcius”.
Sipas sinoptikanëve, këto temperatura të ulëta do krijojnë edhe ngrica në akset e zonave rurale.