Aktualitet Shifra që tregon se koronavirusi është në kontroll në Shqipëri

Shifra që tregon se koronavirusi është në kontroll në Shqipëri

Në konferencën për media, Ministria e Shëndetësisë ka qetësuar qytetarët se pavarësisht shtimit të rasteve në ditët e fundit, koronavirusi është në kontroll.

Zv.ministrja Mira Rakacolli, zbuloi detajin, që sipas saj tregon nivelin e vërtetë të përhapjes së COVID-19.

Bëhet fjalë për numrin e të shtruarve në spital. Ky numër ka ardhur duke u ulur në 10 ditët e fundit. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë.

Më herët edhe Italia, Spanja, Gjermania dhe SHBA janë shprehur se ulja e të shtruarve në spital, është treguesi i parë se koronavirusi mund të vihet në kontroll.

“Pavarësisht luhatjeve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifrat e qëndrueshme, më pak se 15% e të prekurve aktivë”, tha zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Nga rastet e reja, 5 i përkasin Kurbinit, 2 raste në Kukës, 1 rast në Tiranë, 1 rast në Fier. Deri tani janë testuar 5311 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19 rreth 10% e të gjithë të testuarve.