Reagime të shumta po vinë nga gjithë bota pas pamjeve të zjarrit të frikshëm që po shkatërron një nga godinat më të famshme në botë, katedralen e Notre Dame në Paris, që me 12 milionë turistë është objekti më i vizituar në Francë pas Kullës Eifel.
Presidenti francez Emanuel Macron deklaroi se “është shumë i trishtuar, si të gjithë francezët, sepse po shoh një pjesë nga ne që sot po shkrumbohet”.
Presidenti amerikan Donald Trump nuk mungon të komentojë: “Është e tmerrshme të shohësh zjarrin në Notre Dame” dhe sugjeron të “përdoren aeroplanët kundër zjarrit”.
Ndërkohë, zëdhënësi i katedrales ka konfirmuar situatën e rëndë për sa i përket ambienteve të brendshme të godinës, ku sipas tij e gjithë çatia ka rënë përtokë.
Ai ka vënë në dukje se asgjë nuk do të mbesë nga katedralja.
Ndërsa mijëra francezë janë mbledhur përpara katedrales, disa në lot, ndërsa një pjesë duke u përqafuar mes tyre.
Dyshimet janë se shkak për zjarrin janë bërë punimet për restaurimin me një vlerë 6 milionë euro.
Vitin e shkuar, Kisha Katolike në Francë kërkoi me ngulm që të jepen fonde për katedralen, pasi ajo kishte nisur të shembej.
Katedralja është ndër objektet më të vizituara në botë, nga mbi 13 milionë turistë në vit.
Godina nisi ndërtimin në vitin 1160 dhe përfundoi në vitin 1260.
Ajo është një shembull fin i arkitekturës gotike.