SHBA ka vendosur për daljen përfundimtare nga Marrëveshja INF. Ajo garanton kufizime në armatimet bërthamore. Evropa në rrezik nga armatimet e reja bërthamore
Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten tërheqjen nga një traktat dhjetravjeçar i kohës së Luftës së Ftohtë, që ndalonte një kategori të tërë armësh bërthamore, duke shkaktuar shqetësim tek disa analistë se ky veprim mund të shkaktojë një garë të re armatimesh.
Sekretari amerikan Shtetit Mike Pompeo e bëri njoftimin sot në Departamentin e Shtetit në Uashington.
Traktati SHBA-Rusi për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi ka qenë në fuqi që nga Lufta e Ftohtë dhe ishte marrëveshja e parë e kontrollit të armëve në botë që ndalonte prodhimin e një kategorie të tërë armësh, posaçërisht të raketave që lëshohen nga toka me një rreze veprimi deri në 5,500 kilometra.
Tërheqja e SHBA-së pritej prej muajsh, për shkak të mosmarrëveshjeve të pazgjidhura me Moskën lidhur me mosrespektimin e paktit nga ana e Rusisë, gjë që kjo e fundit e mohon.
Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara e kanë humbur durimin me Rusinë lidhur me traktatin.
“Ne i dhamë Rusisë një hapësirë të mjaftueshme kohore për të ndrequr veprimet e saj dhe për të respektuar angazhimet e saj. Nesër kjo periudhë kohore mbaron. Rusia ka refuzuar të ndërmarrë hapa për të përmbushje të plotë të detyrimeve brenda këtyre 60 ditëve. Prandaj Shtetet e Bashkuara do t’i anulojnë detyrimet e tyre nën Traktatin për Armët Bërthamore, që nga data 2 shkurt. Do ta njoftojmë zyrtarisht Rusinë dhe palët e tjera të traktatit se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga traktati pas gjashtë muajsh, nëse Rusia nuk rikthehet tek kushtet e paktit”.
Tërheqja ndodh gjithashtu për shkak të shqetësimit të SHBA-së se Kina, e cila nuk është pjesë e traktatit, po fitonte një avantazh ushtarak duke dislokuar raketa me rreze të gjerë veprimi që tejkalojnë kufirin e parashikuar nga traktati.
Zëvendës Ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov u tha gazetarëve se tërheqja është “një goditje serioze ndaj sistemit ndërkombëtar për kontrollin e armëve dhe sistemin e mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, që ekzistojnë aktualisht”.
NATO-ja po thotë “aleatët e mbështesin plotësisht” tërheqjen dhe thotë se marrëveshja është shkelur nga Rusia, me të cilën aleanca ushtarake vazhdon “të shpresojë për një marrëdhënie konstruktive”.
Ultimatumi amerikan skadon të shtunën
Shkaku për pezullimin e Marrëveshjes INF nga SHBA është prodhimi dhe futja në përdorim e sistemeve ruse raketore me emrin 9M729 (NATO-Code: SSC-8). Ato paraqesin sipas përfytyrimeve të Uashingtonit shkelje të Marrëveshjes për kufizimin e armëve bërthamore. SHBA ka dhënë një ultimatum prej 60 ditësh për shkatërrimin e këtyre pajisjeve. Ultimatumi skadon të shtunën. Por Rusia ka bërë të ditur para javësh se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së SHBA dhe nuk i bie ndërmend t’i shkatërrojë këto pajisje. Sipas të dhënave ruse, 9M729 mund të shkojë në largësi deri në 480 km. Ndërsa SHBA janë të mendimit se këto të dhëna nuk janë të vërteta dhe se këto raketa mund të godasin objektiva në largësi prej të paktën 2600 kilometra. Kjo do të thotë se këto trupa mund të godasin gati çdo kryeqytet në Evropë.
Evropa në rrezik nga armatimet e reja bërthamore
Për Evropën kjo është një çështje tepër e rëndësishme, sepse pezullimi i Marrëveshjes INF mund të rihapë një garë të re për armatime në Evropë. Ekspertët ushtarakë mendojnë se vetëm me këtë marrëveshje mund të ruhet balanca e sigurisë. Përfaqësuesi i CDU/CSU në parlament Johann David Wadephul ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) nga mundësia e stacionimit të armëve të reja atomike në territorin e Evropës. Ndërsa ekspertët thonë se dalja eventuale e SHBA nga kjo Marrëveshje do të thoshte praktikisht edhe vdekje e saj. Më pas as Rusia nuk do të ketë kurrfarë interesi të respektojë këtë Marrëveshje. Kjo mund të shpjerë në garën për armatime edhe në rajonet tjera.