Aktualitet Shkon në 55 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

Shkon në 55 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

42 persona të dyshuar me koronavirus janë testuar në 24 orët e fundit në Shqipëri. Drejtoresha e Institut të Shëndetit Publik, Silva Bino, njoftoi këtë të martë se pozitivë kanë rezultuar 4 raste, duke e çuar numrin në 55, të personave të prekur në total me COVID-19.

“Deri në këto momente janë testuar 605 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 55 raste. Nga rastet e konfirmuara pozitivë: Tiranë 38 raste, Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë), Lushnje 2 rast, Elbasan 2 raste, Fier 6 raste, Rrogozhinë 2 raste”, tha Bino.

25 pacientë janë shtruar në spitalin Infektiv, ndërkohë 3 prej tyre vazhdojnë të jenë në terapi intensive. Bino njoftoi se një prej qytetarëve është me respiracion të drejtuar. Pjesa tjetër e personave të shtruar është në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Një lajm i keq vjen sa i përket bluzave të bardha. Kjo pasi dy nga katër rastet e sotme janë pjesë e personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Ata kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili u vizitua nga një i afërm që nuk tregoi se kishte udhëtuar në Itali. Kjo e çon numrin e mjekëve dhe infermierëve të infektuar në këtë spital në 8.

“Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar”.

Bino theksoi se ky spital do të kthehet në spital COVID, ndërsa ministria po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur për të ndihmuar stafet mjekësore në terren.

Bino i bëri një apel mjekëve që të zbatojnë me kujdes masat mbrojtëse, ndërsa qytetarëve u kërkoi që të mos shkojnë menjëherë në spital, por të telefonojnë 127.

“Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi”, tha Bino.