Aktualitet U kthyen nga Italia dhe nuk u vetëkarantinuan, dy persona gjobiten me...

U kthyen nga Italia dhe nuk u vetëkarantinuan, dy persona gjobiten me 7 milionë Lekë

Një 29-vjeçar nga Dibra është gjobitur me 7 milionë Lekë të vjetra pasi nuk ka zbatuar urdhrin e qeverisë për t’u vetëkarantinuar, në kuadër të masave për koronavirusin.

I riu me iniciale E.S. është kthyer nga Itali më 3 Mars, një nga zonat e prekura me COVID-19, dhe nuk është vetëkarantinuar. Sipas policisë, 29-vjeçari ka frekuentuar ambiente të jashtme në fshatin e tij.

Në zbatim të aktit normativ të nxjerrë nga qeveria, ai u gjobit me 7 milionë Lekë të vjetra.

Edhe një i ri nga Pogradeci është gjobitur me 700 mijë lekë, pasi theu masën e vetëkarantimit dhe u kap duke qarkulluar me mjet pa autorizimin përkatës.

I riu identifikohet si shtetasi me iniciale B.D., banues në fshatin Rëmenj të Pogradecit.

Ai është kthyer nga Italia dhe është njoftuar nga specialisti i Policisë së zonës për vetëkarantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19. Por 29-vjeçari nuk e ka respektuar rregullin.

Ndaj këtij shtetasi u bë tërheqja e lejes së drejtimit, bllokimi i automjetit si edhe u ndëshkua me masën administrative në vlerën 700 mijë lekë.

Policia apelon edhe njëherë të gjithë qytetarët që janë njoftuar për vetëkarantinim që të zbatojnë me rigorozitet këtë detyrim në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit.