Rritet numri i të infektuarve me koronavirusin COVID-19 në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, janë shënuar 13 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të personave të infektuar në 89.
Nga përditësimi i fundit i situatës, rezulton se nga 13 rastet e reja në vend, 8 janë në Tiranë, 1 në Kavajë, 1 në Durrës dhe 3 në Korçë.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, bëri me dije se gjatë orëve të fundit u testuan 33 persona të dyshuar, nga të cilët rezultuan pozitivë 13 raste.
“Nga totali i rasteve të konfirmuara, 58% janë meshkuj dhe 42% janë femra. Mosha mesatare e totalit të rasteve pozitive është 48 vjeç. Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tiranë-63 qytetarë
Durrës-6 qytetarë
Lushnje-2 qytetarë
Elbasan-2 qytetarë
Fier -8 qytetarë
Rrogozhinë-2 qytetarë
Kavajë -3 qytetarë
Korçë -3 qytetarë
Ju informojmë se tre pacientët e parë kanë lënë aktualisht spitalin të shëruar por theksojmë se, pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale. Ndërsa është rritur numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv, ku ndodhen aktualisht 43 pacientë. 4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 54 vjeç”, deklaroi drejtoresha e ISHP.
Autoritetet shëndetësore përsërisin thirrjen ndaj qytetarëve që të vetëizolohen.
“Për të siguruar suksesin e ndërprerjes së këtij transmetimi, qytetarët kanë një rol thelbësor. Qytetarët duhet të vazhdojnë të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital! Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacion apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për çdo shqetësim tjetër që ata kanë.
Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127! Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë”.
Si pasojë e sëmundjes së koronavirusit, në vendin tonë kanë humbur jetën 2 persona.