Shkrimtari Rexhep Hoti ka marrë çmim për merita letrare në Itali për romanin e tij “Nata e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur vet Hoti nëpërmjet një statusi.
“Ndihem i veçantë ta ndaj me ju çmimin për merita letrare për romanin tim “Nata e Kosovës”, që më ndau shtëpia botuese “Kimerik”, në Sicili të Italisë. Gjithashtu ndihem i nderuar t’ju informoj se së bashku me mua mori çmim edhe Ndue Lazri, për përkthimin e romanit tim “Nata e Kosovës” në gjuhën italiane. Natyrisht vlerësimi i përkthyesit tim, i cili me përkushtim e profesionalizëm ka përkthyer në italisht edhe librin me poezi “Vitet e fshehura” me titull tjetër “Kambanat e heshtjes”, si dhe romanin tim “Flirti civil dhe ambasadori”, i cili ndodhet në procesin e botimit në italisht, më bën të ndihem dyfish i nderuar”, shkroi Hoti.
Romanit që ka për tematikë Kosovën në prag lufte, iu kushtua një kohë më e gjatë në prezantim. “Me kërkesë të botuesit, Dr. Francesco Natale, u rrëfye për mbi 20 minuta ngjarja e romanit si dhe u lexuan pjesë prej tij në italisht. U ndjeva i emocionuar të dëgjoja në gjuhën italiane emra personazhesh e karakteresh, që po e mbysnin Kosovën, nga ata që po flijoheshin për të, nga ata që po e mbjellin dritën e pashuar për të ardhmen e saj… I gëzohem këtij çmimi dhe përkthimeve të veprave të mija sepse kështu ndjej sikur jap një kontribut për vendin tim dhe letërsinë natyrisht. Aq më tepër që ky çmim më jepet nga shtëpia botuese “Kimerik” e cila gjer më tash ka botuar mbi 4000 libra”, shkroi Hoti i cili shtoi se këtë çmim ia dedikon gruas së tij.
Rexhep Hoti është autor i disa librave të cilat janë përkthyer në gjuhë të huaja si italisht, bullgarisht, anglisht etj. Veprat e tij më të njohura janë: “Nata e Kosovës”, “Tempulli i fjalës”, “Kosova përballë vetvetes”, “Pesha e konsensusit”, “Gjenitë dhe drama e Kosovës”, “Flirti civil dhe ambasadori”, “Ndëshkimi i kujtimeve”, “Monologu i Prijësit”, “Vitet e fshehura”, “Visore të shthurura”, “Përzierje e trishtë” etj.