Ekonomi Shpërblime në Prill për pensionistët dhe grupet në nevojë? Si përgjigjet ministrja...

Shpërblime në Prill për pensionistët dhe grupet në nevojë? Si përgjigjet ministrja Ibrahimaj

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u pyet këtë të mërkurë pas mbledhjes së qeverisë nëse do të ketë shpërblime për muajin Prill për pensionistët. Ajo u shpreh se për momentin nuk është përcaktuar një politikë e dhënies së shpërblimit për pensionistët.

Ajo tha se do të vijohet me politikën e indeksimit të pensioneve me qëllim që të mos ndikohen nga efektet e krizës. Ibrahimaj theksoi se qeveria po punon intensivisht për rritjen e pagave dhe këtë synon që ta bëjë jo vetëm për punonjësit e administratës, por edhe sektorit privat.

Pyetje: A do të ketë shpërblime në muajin Prill për pensionistët apo grupet e tjera në nevojë ashtu siç është paralajmëruar më herët si pjesë e Pakos së Madhe që është nisur në muajin Janar.

Delina Ibrahimaj: Në fakt kemi parashikuar në buxhet për këtë vit një fond i cili i dedikohet mbështetjes sociale. Po punojmë intensivisht për rritjen e pagave dhe do të synojmë që paga të rriten gjatë vitit jo vetëm për punonjësit e administratës, por edhe sektorit privat. Një hap që morëm ishte rritja e pagës minimale. Do ketë impakt jo vetëm në pagat e pagamarrësve minimalë, por në gjithë strukturën e pagave. Sa i përket pensioneve kemi një politikë që tashmë është e konsoliduar për indeksimin në bazë të inflacionit. Pensionet gjatë vitit të kaluar u indeksuan dy herë. Ne do të vijojmë me politikën e indeksimit të pensioneve me qëllim që të gjithë efektet e krizës dhe çmimeve të shtuara prej inflacionit të luftës të mos kenë ndikim në pensionet e pensionistëve. Për momentin nuk kemi përcaktuar një politikë të dhënies së shpërblimi të menjëhershëm në muajin Prill.