Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku nga shpërthimi i bombolave të gazit në një hotel në Velipojë mbetën të plagosur 4 anëtarë të familjes Gjoka.
Manastirliu thotë se mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjarët e lënduar. Ajo shprehet se situata mbetet tejet kritike për nënën dhe fëmijët e saj.
“Mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT, po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjen e lënduar në ngjarjen e rëndë në Velipojë. Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike”, thotë Manastirliu.
Ngjarja
Katër anëtarë të një familje nga Lezha kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në një hotel në Velipojë. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit të së dielës dhe të lënduar mbetën Alketa Gjoka, 40 vjeçe dhe fëmijët e saj Danjela, 19 vjeçe; Klarisa, 15 vjeçe dhe Enriko, 12 vjeç. Të katër të plagosurit u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por nisur nga gjendja e rëndë, u nisën më pas me helikopter në pavijonin e djegieve në QSUT.
Të afërm të familjes Gjoka tregojnë se gjithçka ka nisur si pasojë e shpërthimit të një prej bombolave që gjendeshin në hotelin që ishte në pronësi të kësaj familje.
Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, pasi i gjithë kati i parë i hotelit është shkatërruar dhe orenditë kanë përfunduar jashtë, ndërsa gjithçka brenda është shkrumbuar. Forcat zjarrfikëse dhe policia me mbërritjen në vendngjarje bënë të mundur nxjerrjen e 5 bombolave të pashpërthyera, duke shmangur pasoja edhe më tragjike të kësaj ngjarje.
Alketa së bashku me tre fëmijët e saj kishin mbërritur në hotel vetëm një natë më parë dhe kishin vendosur që të bënin pastrimet dhe rregullimet e nevojshme në mënyrë që ta bënin gati të prisnin pushues.