Kryesore Dëshmia: Truprojat e Tahirit shoqëronin gomonet me drogë

Dëshmia: Truprojat e Tahirit shoqëronin gomonet me drogë

Zbardhet dëshmia e skafistëve që çoi në firmosjen e 38 urdhër-arresteve në operacionin “Shpirti”, duke përfshirë zyrtarë të lartë policie, prokurorë dhe dy ish-shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sipas dëshmive, kreu i grupit të trafikimit të drogës drejt Italisë, është Ilirjan Duçellari.

Në dosje, thuhet se ai i kishte siguruar një shtëpi me qira prokurorit Maksim Sota jashtë vendit, ku ai qëndronte megjithëse kishte dijeni për aktivitetin kriminal të Duçellarit.

Dy nga pikat më të forta të mbështetjes në polici për trafikantin e drogës ishin ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, dhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj. I pari jepte garanci për kultivimin, magazinimin dhe transportin deri në skaf. Aktiv në grupin e strukturuar kriminal ishte edhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit Festim Lelaj, i cili sipas të penduarve të drejtësisë, merrte 15 mijë Euro për të garantuar pjesën detare të trafikut. Ai siguronte fikjen e radarit për një orë, duke realizuar kështu nisjen e mjetit lundrues të ngarkuar me lëndë narkotike në drejtim të Italisë dhe kthimin bosh.

Ferhat Hajdini, bashkëpunëtori tjetër, ka treguar një rast kur dy shoqëruesit e Saimir Tahirit kanë ngarkuar vetë thasët me drogë në gomone. Sipas tij, Agustin Deda dhe Hekuran Marku ditën e ngarkimit të gomones me drogë kanë ardhur nga Tirana së bashku me disa persona të tjerë. Me vete kishin pistoleta dhe radio policie.

Një tjetër emër që del nga hetimet është Sajmir Kurti, drejtor i Zyrës së Punës në Kavajës. Skafistët Seferi dhe Ajdini deklaruan se në Tetor 2016 të dy kanë bërë një udhëtim duke trafikuar drejt Italisë rreth 500 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa e cila destinacion final kishte Gjermaninë.

Edhe në këtë rast të dy kanë deklaruar se Sajmir Kurti ishte pronari i lëndës narkotike, po ashtu mjeti lundrues gomone me të cilin ishin nisur nga plazhi pas kazinosë së Kurtit që ndodhej afër Malit të Robit.