Bota Shembja e ndërtesës në Majami: Zjarrfikësi gjen trupin e pajetë të vajzës...

Shembja e ndërtesës në Majami: Zjarrfikësi gjen trupin e pajetë të vajzës së tij nën rrënoja

Bilanci i viktimave të ndërtesës shumëkatëshe të shembur në Majami është thelluar edhe më tej.

Njëra prej viktimave ishte vajza 7-vjeçare të një zjarrfikësi të qytetit.

Stella Cattarossi u nxor nga rrënojat duke e çuar numrin e të viktimave  në 22, ndërsa të zhdukur janë 126 persona. Banorëve të një blloku tjetër u është thënë të largohen për arsye sigurie.

“Gjetëm dhe dy viktima të tjera në rrënoja. Ishte tragjike, por njëra prej tyre është vajza e njërit prej zjarrfikësve. Të gjitha netët kanë qenë të vështira për familjet dhe ekipet e shpëtimit që prej shembjes, por ajo e mbrëmshmja ishte më e rëndë nga të gjitha për punonjësit tanë të ndihmës së parë”, tha Daniella Levine Cava, kryetare e bashkisë së Majamit.

Babai i Stella përdori xhaketën e tij për të mbuluar trupin e vajzës së tij, vendosi një flamur të vogël amerikan mbi të dhe e nxori jashtë zonës.

Ende janë të paqarta motivet pse u shemb ndërtesa 40- vjeçare. Por një inspektim i vitit 2018 paralajmëroi për defekte “të mëdha” të dizajnit në modelin origjinal.