Është nënshkruar sot marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kosovës për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, që shërben për reduktimin e kohës së lëvizjes në 50%.
Në pikën e kalimit kufitar të Morinës, dy ministrat e Brendshëm nënshkruan marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.
Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë ministri i Brendshëm i Kosovës, Ekrem Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër Lleshaj dhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Ekrem Mustafa vlerësoj marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës si shumë të rëndësishme për sa i përket lëvizjes së lirë.
“Falënderojë Kryeministrin e Shqipërisë dhe ministrin e Brendshëm të Shqipërisë që arritëm të nënshkruajmë këtë marrëveshje, që na mundësoj që në vitin 2019 të zbresim kohën që kalojmë në doganë në 50% me pak”, – tha ministri i Brendshëm i Kosovës.
Ndërsa, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se “së pari ju përcjell përshëndetjet e Kryeministrit Rama që tha se do të vijë vetëm kur të hiqen plotësisht kontrollet”.
“Jemi mbledhur për të nënshkruar këtë marrëveshje e cila ka një rëndësishme sepse ul në 50% kohën e pritjes, një ulje e konsiderueshme, por objektivi është për ta çuar në zero kohën e pritjes dhe po punojmë me ekipet e dy ministrive, pra për ta eliminuar plotësisht kontrollin midis kufirin tonë të përbashkët. Ky është një hap i rëndësishëm drejt lirisë së lëvizjes, por çdo hap drejt lirisë shoqërohet dhe me një faturë në kuptimin e sigurisë dhe na duhet që çdo hap ta hedhim me forcimin e sigurisë, si dhe liria të mos shoqërohet në pasiguri” – tha Lleshaj.
Duke vënë theksin te lëvizja e lirë, Lleshaj vlerësoj faktin se duhet garantuar siguria mes vendeve, që të kemi njëherazi lëvizje të lirë dhe siguri.
“Sigurisht ne po punojmë të ndërtojmë të gjithë mekanizmat e duhur për të ofruar liri të plotë lëvizje dhe siguri të plotë. Hapi tjetër do jetë nënshkrimi i një marrëveshjeje shumë të rëndësishme e cila do të çojë në eleminimin e kontrolleve në kufi, pa cenuar sigurinë. Ky është një hap i vendosjes së standardeve të Europës në kufirin tonë, siç është në kufijtë e Europës ku ne synojmë të jemi”, – tha Lleshaj.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, palët vizituan pikat e kalimit kufitarë në Morinë.
Kjo marrëveshje do të thotë që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë, bazuar në parimin “Një ndalesë, një kontroll”.