Bajram Begaj është tashmë Presidenti më i paguar në rajon. Pas votimit në Parlamentin shqiptar për rritjen e pagave, rroga mujore e Begajt shkon në 3860 euro (ishte 2320 euro). Begaj kalon në rajon edhe presidentët e Kroacisë dhe të Sllovenisë, që paguhen deri në 3500 euro në muaj.
Pas tyre janë tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës: Denis Beqirović, Želka Cvijanović dhe Želko Komshić, secili me nga 2,920 euro në muaj në pozicionin e tyre drejtues dhe më tej zbret presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, i cili ka rrogë 2420 euro.
Ndërkohë, paga e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pas rritjes së fundit shkon në 2160 euro, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, të cilit i është rritur paga në janar, merr sot 1700 euro në muaj. Me një diferencë prej 200 eurosh, listën e mbyll Stevo Pendarovski me pagë mujore 1500 euro.
Në të gjithë rajonin, pagat e zyrtarëve janë një temë e ndjeshme në sytë e publikut, sepse ata marrin përveç rrogës, marrin edhe të ardhura të tjera, disa herë më shumë se qytetarët e zakonshëm dhe aq më tepër që janë të akuzuar shpeshherë për korrupsion dhe favore të paligjshme.
Parlamenti shqiptar veç rritjes së pagës së Presidentit, rriti dyfish edhe rrogat e deputetëve dhe të ministrave.