Në dy muajt e parë të vitit 2017, policia ka parandaluar më shumë se dymbëdhjetë përpjekje trafikimi të tonelatave të kanabisit në Itali apo Greqi, duke e kaluar fokusin nga lufta kundër kultivimit te një luftë kundër eksportit.
Një zyrtar i policisë shqiptare i tha BIRN të premten se lufta kundër përpjekjeve të trafikimit është një prioritet kryesor i kësaj periudhe të vitit.
“Kemi një vigjilencë të lartë në këtë luftë tani, duke filluar me kontrollin e vijës bregdetare, porteve, pikave të kontrollit dhe linjave të gjelbra të kufirit. Kemi intensifikuar mjetet tona të kontrollit, mbledhjen e informacionit dhe bashkëpunimin me homologët në vendet fqinje,” tha burimi.
“Policia italiane dhe greke gjithashtu ka ndërmarrë investigimet e veta në përpjekje për të zbuluar se kush i ka porositur ngarkesat,” shtoi ai.
Media ka raportuar të paktën 15 raste të kapjes së drogës nga 1 janari, ku policia shqiptare ka konfiskuar tonelata kanabisi të cilat trafikantët janë përpjekur t’i transportojnë drejt Italisë me gomone ose në Greqi me makinë.
Policia në Itali dhe Greqi ka raportuar gjithashtu dhjetëra raste të tjera të ngarkesave të kanabisit të gjetura në portet e tyre, në pikat e kufirit apo brenda territorit të tyre pasi kanë kaluar kufirin shqiptar.
Gjatë vitit të shkuar, Shqipëria arriti nivele rekord të kultivimit të kanabisit. Më 8 tetor, policia e shtetit tha në një konferencë të përbashkët me policinë italiane nga Guardia di Finanza se 2.5 milionë bimë ishin shkatërruar kudo në Shqipëri gjatë asaj periudhe.
Në vitin 2013, numri i bimëve të shkatërruara ishte 90,000. Në 2014, shifra ishte 530,000 ndërsa në 2015 shkoi në 780,000.
Megjithatë, policia ende beson se sasi të mëdha të kanabisit ruhen në të gjithë Shqipërinë, gati për t’u trafikuar në vendet e BE-së.
Më 1 janar, policia e shtetit lajmëroi në bashkëpunim me oficerët italianë, kapjen e një gomoneje në Kanalin e Otrantos e cila mbante 400 kilogramë kanabis.
Në ditët dhe javët pasuese, rezultuan më shumë raste të trafikimit të kanabisit nëpërmjet cepave të ndryshëm të vijës së gjatë bregdetare shqiptare dhe pikave të kontrollit me Greqinë.
Të premten policia greke zbuloi një ton kanabis në një kamion që vinte nga Kakavija. Shoferi ia doli të largohej.
Në vitin 2016, policia shqiptare shpenzoi rreth 5.7 milionë euro të buxhetit vjetor në luftën kundër kultivimit të kanabisit.
Lufta kundër kanabisit është një çështje e nxehtë politike në Shqipëri, ku politikanët e opozitës vazhdimisht akuzojnë qeverinë se toleron lordët e drogës dhe trafikimin në shkëmbim të mbështetjes në fushatën e ardhshme zgjedhore të 18 qershorit./BIRN