Partia Demokratike ka prezantuar sot sloganin për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 Prillit 2021.
“Shqipëria fiton” është slogani i zgjedhur nga PD për këto zgjedhje. Sot partia më e madhe opozitare ka nisur dhe shpalosjen e programit qeverisës.
Ky prezantim ka nisur nga ekonomia, si në nga shtyllat më të rëndësishme për qeverisjen e një vendit. Ishte ish-deputetja Jorida Tabaku, e cila tha se me programin e PD “Shqipëria fiton”.
“Ekonomia sot është në një situatë emergjente. Shqipëria është shkatërruar gjatë këtyre 8 viteve. Vendi ynë ka të ardhurat për frymë më të ulëta në rajon. Shqipëria fiton kur ekonomia rritet, jo kur shifrat manipulohen për propagandë. Unë besoj se Shqipëria do të fitojë, nën drejtimin e një kryeministri që ka një plan të qartë”, u shpreh Jorida Tabaku, e cila mori e para fjalën.
Më tej, fjalën e mori kreu i PD, Lulzim Basha, i cili theksoi se plani i PD, i quajtur “Shqipëria fiton”, do t’ua kthejë Shqipërinë, shqiptarëve. Ai theksoi se do të dyfishojë ndihmën ekonomike për familjet në nevojë.
“Kemi punuar me ekspertët më të mirë të ekonomisë, por edhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare dhe partitë tona si motra. Kemi punuar për një plan serioz zhvillimi, i cili do t’ua kthejë Shqipërinë, shqiptarëve. Duam të sjellim para jush një program pune, të zbatueshëm, i cili do t’u shërbejë shqiptarëve dhe jo një parti politike. Ne angazhohemi ta zhdukim varfërinë ekstreme. Kjo plagë e tmerrshme dhemb më shumë se kurrë më parë. Hapi i parë do të jetë dyfishimi i ndihmës ekonomike të familjeve në nevojë”, tha Basha.
Në ditët në vijim pritet prezantimi i programit për fusha të tjera të qeverisjes.