Të gjithë e kishin të qartë para përballjes me Turqinë. Nëse fitorja kërkohej realisht dhe dëshironim të dilnim me tre pikë nga kjo përballje, duhej të ishim në perfeksion. Ashtu edhe ndodhi me skemën e përgatitur nga trajneri Reja.
Mbrojtja ishte e kalibrit të lartë, me Ismajlin-Dërmakun-Gjimshitin që asfiksuan sulmuesit kundërshtar. Disa tentativa nga jashtë zone, por që nuk e vendosën aspak në vështirësi Strakoshën. Të vetmet momente të rrezikshme ishin ato me goditjet standarte, por edhe aty masat ishin marrë shumë mirë.
Por nëse duam të diskutojmë për analinë taktike, qendrojmë pak te ndryshimi i fazave. Shqipëria nuk kishte sulmuar asnjëherë më parë si me Turqinë. Në momentet kur kuqezinjtë tanë kishin topin dhe kërkonin të gjuanin në portën kundërshtare, shkonim me 6-7 lojtarë drejt portës së Turqisë. Praktikisht, vetëm treshja e qendërmbrojtjes mbetej statike në gjysmëfushë.
Me ndjenjën e frikës dhe tërheqjes mbrapa, kjo mënyrë e të luajturit nuk ka ardhur as në kohën më të artë, të De Biazit. Tipike kjo një skemë e Atletiko Madridit, me lojtarët që sapo humbin topin siç ndodhte edhe me Shqipërinë dje, të gjithë lojtarët në sulm kthehen me një sprint për t’u admiruar në mbrojtje.
Pra një trup i vetëm. Siç mund të shihet edhe në foton më poshtë pasi Kombëtarja ka gabuar në një pasim në aksionin tonë sulmues dhe të gjithë lojtarët rifitojnë pozicionet e tyre duke vrapuar pafundësisht. Një skemë perfekte kjo që shpjegon edhe ato rastet pafund të shpërdoruara nga ana e Rei Manajt që kishte për detyrë të dërgonte topin në rrjetë, por dështoi në këtë mission edhe me portën e boshatisur.
Nga ana tjetër Veseli hyri si një mbrojtës tipik në krahë dhe pritej të kishte më pak detyra sulmuese. Ndoshta kjo shërbeu edhe në disa raste që shokët e skuadrës të mos i besonin kur dilte në sulm. Por e vërteta është se në të paktën dy raste Veseli e sulmonte bukur zonën dhe kishte një hapësirë të konsiderueshme për t’i bërë keq kundërshtarit.
Cikalleshi dhe Manaj i kishin ndarë punët disi më ndryshe nga ajo ndeshje me Islandën. Cikalleshi do të bënte presion dhe do të merrte “zvarrë” lojtarët e Turqisë, për të fituar faulla dhe për t’u tërhequr përpara falë fizikut të tij, ndërsa Manaj duhej të ishte lojtari deçiviz.
Për të vazhduar me analizën e skemës, ndërrimi i Roshit rezultoi në perfeksion dhe si qershia mbi tortë për Rejën. Të mësuar me një krahë të qetë te Lenjani, lojtarët e Turqisë nuk mundën qoftë edhe për njehërë të vetme që të ndalnin Odise Roshi me inkursionet e tij. Në duelin mes trajnerëve Reja e fitoi dukshëm përballë Gunesh, por me dhurata në fushë si nga Manaj dhe Strakosha, nuk mundej të bëhej më shumë. (Sport Ekspres)