Nga Armand Plaka
Dukej se diçka po lëvizte në etapat e fundit të pushtimit italian në Shqipëri: Në vend të Francesco Jacomoni-t, në mars 1943, në postin e Mëkëmbësit të Mbretit të Italisë në Tiranë tashmë do të vendosej Gjenerali Alberto Pariani dhe do niste një rishikim i objektivave italianë dhe riorganizim i reparteve të Ushtrisë Shqiptare nën drejtimin e oficerëve e nënoficerëve italianë. Nga ana e saj edhe Tirana zyrtare do të përshtatej me shpresën që të sistemonte diçka në realitet në dukje të reja, duke zëvendësuar Mustafa Krujën me Eqrem Libohovën më 19 janar 1943, i cili në periudhën shkurt -mars do ia linte vendin Maliq Bushatit të kryente detyrën e shefit të ekzekutivit përkohësisht, ndërsa do rivinte sërish në krye të tij, për të qëndruar deri në fund të mandatit italian në Shqipëri, më 9 shtator 1943.
Pasi mbylli problemin e Greqisë me ndihmën e Gjermanisë, tashmë Ushtria Mbretërore Italiane duhej të përballohej me problemin e kontrollit të territoreve të okupuara shqiptare dhe atyre jugosllave. Më 1 shkurt 1942 u krijuan kësisoj tri regjimentet e para të të ashtuquajturve “Cacciatori d’Albania” (Gjuetarëve të Shqipërisë) me një forcë totale prej 2300 burrash, të cilëve iu shtua pikërisht në mars 1943, me ardhjen e Gjeneral Parianit, një regjiment i katërt i formuar nga kosovarët, duke u dhënë kështu atyre të kuptonin se ishin më të vlerësuar. Në këtë mënyrë ata mund të shihen ( edhe pse jo zyrtarisht) si paraardhësit e Divizionit “Skanderbeg”, që do të formohej një vit më vonë me detyra pak a shumë të ngjashme, por që do të duhej të ishte më aktiv tashmë nën urdhërat e gjermanëve.
Një pjesë e stafit, veçanërisht oficerë dhe oficerë jo të komisionuar, ishte italiane, ndërsa trupat ishin kryesisht shqiptare, veçanërisht myslimane, të ardhur tashmë nga e gjithë “Shqipëria e Madhe”. Ky filmim i përket pikërisht 10 korrikut të vitit 1943, kur në Tiranë të katër regjimentet morën flamujt e luftës nga duart e “Mëkëmbësit të Mbretërisë së Shqipërisë”, Gjeneralit Alberto Pariani, i cili pasoi edhe me një vizitë në Kosovë.
Por ajo që bie në sy më shumë është dhe ndryshimi i flamurit shqiptar, i cili edhe pse akoma nën varësinë italiane, nuk e mbante më “Sëpatën e Liktorit”, duke sjellë sërish versionin e ish-flamurit të Mbretërisë Shqiptare të 1928-1939.