Politika Shqiptarët mendim më pozitiv për Greqinë sesa grekët për Shqipërinë

Shqiptarët mendim më pozitiv për Greqinë sesa grekët për Shqipërinë

Ndonëse marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë përmirësuar në krahasim me dekadat e mëparshme, sërish mendimi që shqiptarët kanë për Greqinë është më pozitiv sesa mendimi i grekëve për Shqipërinë.

Është ky përfundimi i dy sondazheve paralele të kryera në Shqipëri dhe Greqi për të evidentuar perceptimin e dy popujve për marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas sondazhit, 61% e shqiptarëve të anketuar kanë mendim pozitiv për Greqinë, ndërsa vetëm 15.5% e grekëve të anketuar kanë mendim pozitiv për Shqipërinë.

Ndërsa, në nivelin individual grekët kanë mendim më pozitiv për shqiptarët dhe shkon deri në 47.5%, por sidoqoftë shqiptarët përsëri arrijnë në 60%.

Në Shqipëri, qëndrimet më pozitive ndaj grekëve gjenden kryesisht në jug të vendit. Në Greqi, përqindja më e lartë e qëndrimeve pozitive ndaj shqiptarëve gjendet midis të rinjve.

Shqiptarët konsiderojnë si problemet më të rëndësishme që ndikojnë marrëdhëniet dypalëshe, caktimin e kufijve të zonave detare dhe çështjen e popullsisë Çame, ndërsa grekët janë të shqetësuar për ekspansionizmin e perceptuar shqiptar dhe politikat e Shqipërisë ndaj minoritetit grek, por edhe këto çështje tërheqin vëmendjen në rreth 12%.

Anketa në Shqipëri u bazua në 1.200 qytetarë të intervistuar, gjatë muajit shkurt të vitit 2020. Ndërsa anketa greke pyeti 1.128 qytetarë në dhjetor të vitit 2019.