Në vendin tonë vazhdon të ecë me ritme pozitive numri i të shëruarve. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik njoftoi këtë të shtunë se numri total i tyre ka shkuar në 519.
“Duke parë të dhënat, momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme”, tha ajo, e cila shtoi se kalimi i zonave aktive në zona jo aktive për COVID19 ka zgjeruar hartën e të shëruarve në gjithë vendin.
Po rastet aktive?
Aktualisht në vendin tonë janë 239 pacientë aktivë me virusin. Pjesa më e madhe e tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë. Prej tyre vetëm 31 pacientë (11.4%) janë shtruar në spitalet Covid.
“Ky është një tregues i rëndësishëm që evidentoi faktin që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale”, tha Tomini.
Pavarësisht se të hënën do të ketë lehtësim të masave, Ministria e Shëndetësisë i bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë distancimin social dhe të mbajnë higjienën e pastër.