Boris Johnson është rikthyer në parlament pas humbjes së betejës në gjykatën supreme dhe është përballur me një situatë kaotike. Ligjvënësit opozitarë shpërthyen në akuza duke e quajtur të turpshëm pezullimin e parlamentit dhe kërkuan dorëheqjen e kreut të ekzekutivit.
Pas një debati tejet të ashpër, Boris Johnson sfidoi opozitën duke kërkuar një mocion mosbesimi ndaj tij, që ndryshe përkthehet me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Shumica e ligjvënësve e mbështesin këtë ide por ndasitë janë tek koha kur do të mbahen zgjedhjet. Kryeministri kërkon që të finalizohet BREXIT domosdoshmërisht dhe pastaj të shkohet në zgjedhje ndërsa opozita kërkon që fillimisht të shtyhet divorci pa marrëveshje. Britanikët sërish kanë mbetur peng te mungesës së kompromisit.
Gjatë fjalës në parlament, Boris Johnson u ka thënë ligjvënësve se Gjykata Supreme ka gabuar me vendimin e marrë në një kohë polemikash kombëtare.
“Unë mendoj se njerëzit jashtë këtij Parlamenti e kuptojnë se çfarë po ndodh. Si pasojë e egoizmit të plotë dhe frikës politike ata nuk kanë gatishmëri që të ecin përpara dhe t’i japin fjalën popullit. Udhëheqësi i opozitës dhe partia e tij nuk iu besojnë njerëzve”.
Boris Johnson ka këmbëngulur serish se Britania do të largohet me apo pa marrëveshje nga bashkimi evropian më 31 tetor.