E keni menduar ndonjëherë si mund të jetë një shtëpi në Mars? NASA shkoi më larg sesa mendimi, duke hedhur një tjetër hap drejt shndërrimit të jetesës ndërplanetare në realitet.
Agjencia amerikane e Hapësirës caktoi 3 finalistët kryesorë për sfidën e habitatit të printuar në 3D.
Sfida nisi në vitin 2015 mes ekipeve që konkurronin se kush do të krijonte banesat më të përshtatshme për në Hënë, në Mars, e ndoshta edhe përtej.
Në nivelin e katërt të fazës së tretë të konkurimit, 11 ekipeve iu kërkua t’i realizonin krijimet e tyre në grafikë kompjuterikë tripërmasorë.
Secili prej modeleve është vlerësuar si në aspektin arkitekturor, ashtu në atë estetik e për qëndrueshmërinë e strukturës, por edhe tipare të tjera.
Një ekip nga Nju Jorku, “SEArch+/Apis Cor” fitoi vendin e parë për strukturën e tij unike të spërdredhur, e cila vjen me disa vrima të vogla që lejojnë hyrjen e dritës natyrale.
Rivalët e tyre, “Zoperhous” pretendojnë se strukturat modulare që ata kanë krijuar mund të printohen edhe nga një sondë autonome.
Ndërsa “Inkubatori i Marsit”, një grup inxhinierësh dhe artistësh tregoi një dizajn të përbërë nga 4 hapësira të dallueshme, përfshirë një që shërben për të rritur bimë.
Tre ekipet ndanë mes tyre një çmim prej 100 mijë dollarësh. Në raundin e ardhshëm, të caktuar në muajin maj, finalistët – siç thotë CNN, – do të printojnë modele 3D të dizajneve të tyre, ndërsa konkurrojnë për çmimin e madh prej 800 mijë dollarësh.