Bota Fillon numërimi mbrapsht për Brexit

Fillon numërimi mbrapsht për Brexit

Nga Edouard Guihaire, AFP

Qeveria britanike diskutoi sot mbi krizën për të zgjidhur Brexit-in kokëçarës dhe për të shmangur një ndarje pa marrëveshje më 12 prill, një zgjidhje e tmerrshme, por që bëhet çdo ditë dhe më e mundshme, ashtu siç edhe paralajmëroi negociatori i Bashkimit Europian, Michel Barnier.

Pas pothuajse tre viteve nga referendumi i 23 qershorit të 2016-ës, britanikët nuk janë në dijeni për mënyrën se si do të bëhet dalja nga BE.

Të hënën, deputetët britanikë kanë vënë në dukje ndarjet mes tyre si edhe paaftësinë për t’iu përgjigjur kësaj sfide historike, pasi refuzuan katër alternativat e marrëveshjes së negociuar me Brukselin nga kryeministrja, Theresa May.

Ky votim supozohet të miratonte një projekt të Brexit-it që kishte gjasa të mblidhte më në fund një shumicë në Dhomën e Komuneve, pas refuzimit të së enjtes, për të tretën herë, një marrëveshje për tërheqjen nga BE nga liderja konsevatore.

Në mungesë të një marrëveshje apo shtyrje të Brexit-it, skenari duket se do të jetë një dalje e vrazhdë më 12 prill, ide që shkakton shumë fyte të thata në komunitetin ekonomik.

”Brexit-i pa marrëveshje nuk ka qenë kurrë dëshira ime, por duket sikur është çdo ditë e më i mundshëm”, tha sot negociatori i BE për Brexit-in, Michel Barnier, gjatë një konference të organizuar nga instituti i reflektimit EPC, në Bruksel.

”BE me 27 shtete është tashmë drejt kësaj rruge”, paralajmëroi ai.

Zgjedhje të parakohshme?

Duke dhënë shenjat e një shteti në gjendje emergjence, Theresa May thërriti sot Këshillin e Ministrave në një mbledhje veçanërisht të gjatë për të diskutuar rrugën që duhet ndjekur.

Shefja e ekzekutivit dukshëm dëshiron që të diskutojë mbi pasojat e e votimit të së hënës dhe mungesën e shumicës për çdo skenar të mundshëm që mund ta ndihmojë të riparaqesë marrëveshjen e saj për daljen, për të katërtën herë.

”Kabineti mundet fare mirë t’i thotë parlamentit se ne ju dhamë mundësinë për të gjetur një zgjidhje, ju e shpërdoruat. Votoni për marrëveshjen e May javën e ardhme ose rrezikohet me të vërtet një përfundim ‘no deal”, tha Anand Menon, nga King’s College në Londër.

”Nuk përjashtohet që kjo marrëveshje, që synon të zbatojë një Brexit pa probleme, të votohet përsëri nëse ka një shans të arsyeshëm për sukses”, tha të hënën zëdhënësi i May.

Mbetet që Theresa May, në mes të një krize identiteti, të bindë një qeveri të ndarë aq sa parlamenti mbi Brexit-in dhe ata që janë pro BE për një dalje pa marrëveshje, pasi dalja nuk u bë në datën e parashikuar, më 29 mars.

Për të vendosur një balancë dhe për t’i bindur këta të fundit, kryeministrja mund të përdorte ”opsionin bërthamor” (siç thotë Times): kërcënimin me zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa, sipas një sondazhi të botuar të dielën në ”Mail Sunday”, laburistët kryesojnë me 5 pikë ndaj konservatorëve.

Kosto politike

Cilido qoftë opsioni i zgjedhur, Theresa May duhet t’i shpalosë planet e saj në samitin e jashtëzakonshëm që pritet të bëhet me 10 prill.

Michel Barnier theksoi se nëse britanikët votojnë “kundër marrëveshjes së tërheqjes në ditët e ardhshme, do të mbeten vetëm dy opsione: ose të largohen pa marrëveshje ose të kërkojnë një shtyrje më të gjatë të periudhës që parashikon neni 50”.

“Një zgjerim i tillë do të shkaktonte rreziqe të konsiderueshme për BE-në, prandaj duhet një gjykim i qëndrueshëm”, shtoi ai.

“Do të ketë gjithashtu një kosto politike. Nëse Londra është ende anëtare më 23 maj (data e fillimit të zgjedhjeve europiane), ajo do t’i zhvillojë ato”, këmbënguli ish-ministri francez.

Pjesa tjetër, ata në favor të qëndrimit në BE, po përpiqeshin të përfitonin nga kaosi për të nxitur kërkesat e tyre.

Të hënën në mbrëmje “Parlamenti ka treguar edhe një herë se nuk mund të bjerë dakord mbi Brexit-in që dëshiron”, tha deputetja anti-Brexit, Anna Soubry, ish-konservatore duke thënë se një referendum i ri tani është “i vetmi opsion i mbetur i besueshëm”.