Extra Si duket jeta e një shqiptareje në Spanjë – sfidat dhe përshtatja

Si duket jeta e një shqiptareje në Spanjë – sfidat dhe përshtatja

Nga Ola Goroveci

Të gjitha historitë e mëdha fillojnë me marrjen e vendimeve impulsive, pa frikë dhe pa dyshime në mes – kështu e nisa një nga poezitë e mia dedikuar Barcelonës. Njëzetë e një dhjetorin e kujtoj gjithmonë, edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, sepse solli ndryshimin më të madh dhe më të dëshiruar për mua.

Kështu erdhi edhe ideja e Barcelonës, qyteti që më bëri për vete ende pa e njohur.

Prindërit e patën mundësinë për të emigruar, por të dy vendosën të krijojnë të ardhmen në Shqipëri. Ndërsa unë, ajo që gjithmonë është konsideruar rebelja e fisit, kur më pyesnin se çfarë do të bëhesha kur të rritesha, u përgjigjesha “Do të bëhem gazetare dhe do të emigroj!”

Aventura ime në Spanjë filloi në moshën njëzetetrevjeçare, një vajzë e re me plot ëndrra dhe ambicie.

Impakti im i parë si shqiptare në Spanjë ishte gjuha. Spanjën mendojmë se e njohim nga telenovelat, por në fakt nuk është aspak e vërtetë. Shpeshherë, kur mendojmë për Spanjën, na vijnë në mendje ushqime si tacos apo serenatat mariachi, por ajo çka shohim në telenovela është Amerika e Jugut.

Rrugëtimi im si shqiptare në Spanjë filloi në 2015. Po bëj rreth tetë vjet që shkruaj skriptin e të ardhmes time në një qytet kaq ndërkombëtar siç është Barcelona. Përveç spanjishtes, gjuha e parë është gjuha katalane, të cilën e mësova për katër muaj pasi u shpërngula.

Shpeshherë, kur shëtisja nëpër rrugët e qytetit, ndihesha kaq e vogël mes ndërtesave të larta historike të cilat kanë ruajtur sharmin dhe historitë ndër shekuj.

Barcelona konsiderohet qyteti rebel i Spanjës, aty ku katalanasit luftojnë për pavarësi, për të drejta gjuhësore dhe njerëzore. Nuk e kuptoja se si një provincë siç është Katalunja do të ndahet nga Spanja. Isha mësuar me idealet që ne kemi në Shqipëri për të qenë gjithmonë një komb i bashkuar, por mesa duket, nëse një spanjoll shpreh krenarinë e tij për Spanjën, konsiderohet ultra nacionalist.

Nëse flasim për kulturën, më bënte përshtypje sasia e aktiviteteve artistike që organizohen në Barcelonë. Në Shqipëri shkoja shpesh në teatër, gjë që në atë kohë nuk ishte diçka e modës. Ndonjëherë kemi atë maninë të presim që diçka të bëhet trend për ta aplikuar në jetën e përditshme. Ndërsa në Barcelonë, shikoja sesi radha për të hyrë në qendrat kulturore fillonte tek dera e teatrit dhe mbaronte dy rrugë më tej.

Spanjollët janë një popull që e duan jetën shoqërore. U thonë gjithmonë “po” daljeve për një birrë pas pune. Tarracat e kafeneve gumëzhijnë si në verë ashtu edhe në dimër kur temperaturat janë të ulëta. Edhe kafenetë e Shqipërisë frekuentohen me po kaq entuziazëm, por ne nuk jemi kaq dashamirës të të ftohtit. Janë një popull që e marrin jetën me hapa ta ngadaltë ndërkohë që ne shqiptarët jemi një popull që duam të mbarojmë çdo gjë me nxitim. Në përgjithësi, në Europën Lindore kemi një karakter më të fortë ndërkohë që në Spanjë, siç e thash edhe më sipër, njerëzit janë më të relaksuar dhe aspak sfidues.

Si shihet një shqiptare në Spanjë?

Shpeshherë, kur takoj një spanjoll për herë të parë, ndodh që nuk ka dëgjuar për Shqipërinë dhe duhet t’i tregoj se ku ndodhemi në hartë. Ka edhe nga ata që kanë njohuri rreth historisë së komunizmit dhe mendojnë se akoma jetojmë në të njëjtat kushte.

Pyetja që më bëjnë më shumë është nëse ndihem si në shtëpi në Barcelonë. Ndihem pak skeptike kur përgjigjem, për dy arsye.

Ideja ime e shtëpisë nuk është vendi, por ndjesia që të jep një qytet apo shtet. Pavarësisht se jam përshtatur më së miri në kulturën katalanase-spanjolle, gjithmonë do të konsiderohem një e huaj për nga mënyra e të folurit si edhe nga karakteri.

Ndërkohë, këto dy vitet e fundit që kam vizituar Shqipërinë, punoj në ndonjë kafene në Tiranë apo në Pogradec ku jetojnë prindërit. Si një korçare që ka jetuar gjithë jetën në Tiranë, nuk kam as theks tirons dhe as korçar kur flas shqip. Dy kamarierë në dy kafene të ndryshme në Tiranë më kanë pyetur përse flas kaq mirë shqip dhe nga vij. Mendonin se isha e huaj. Mesa duket, të jesh emigrant do të thotë të ndihesh i huaj në vendin ku jeton po ashtu edhe në vendin e lindjes njëkohësisht.

Pavarësisht kësaj, nuk do ta mendoja dy herë për të emigruar sërish për faktin se rritesh më shumë si person si edhe kupton më mirë se çfarë do nga jeta. Sfida më e madhe është rrugëtimi në fillim, derisa të fillosh të ecësh në hapat e duhura. Frika është ajo çka na ndalon për të bërë gjëra të mëdha në jetë. Por siç e thash edhe më sipër, çdo histori e madhe dhe e bukur fillon duke marrë një vendim impulsiv.