Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, do ta vuajë dënimin në burgun e Fierit.
Salianji u shpall fajtor në Apel për kallëzim të rremë dhe u dënua me 1 vit burg.
Edhe pse deputetët e tjerë të PD i kërkuan që të mos e zbatojë vendimin, Bardhi njoftoi se Salianji ka vendosur të vetëdorëzohet dhe të vuajë dënimin.
Në burgun e Fierit ka vuajtur dënimin edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Deputetët e Partisë Demokratike i kërkuan të premten Salianjit që të mos e zbatonte vendimin e Gjykatës, por të ngujoheshin në selinë e PD. Por Gazment Bardhi zbuloi se ishte vetë Salianji që vendosi të zbatonte vendimin, edhe pse e konsideron të padrejtë.
“I kërkuam kolegut Erion Salianji që të mos e zbatojë vendimin politik të Edi Ramës, firmosur nga tre gjykatësit. Vendimi unanim i grupit parlamentar ka qenë unanim”, tha Bardhi në një konferencë për mediat.
“Deputeti ka vendosur që më të keqen të përballet, edhe me koston e të shkuarit më të padrejtë, pa ligj e pa prova, në burgun politik të Edi Ramës. Kjo sakrificë do të duhet të shërbejë si kambanë alarmi për këdo prej nesh, se kur një deputet i opozitës çohet në burg për hakmarrje personale të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt, asnjë nuk është i paprekshëm. Ne e respektojmë vendimin e kolegut Salianji, duke konfirmuar që së bashku me të, të gjithë e konsiderojmë padrejtësi vendimin e Gjykatës së Apelit”.
Bardhi deklaroi se pas këtij vendimi, nuk do të ketë më marrëdhënie institucionale me shumicën socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. “Këto janë momente të vështirë për Shqipërinë dhe çdo shqiptar”, tha Bardhi.