Policia e Tiranës njoftoi sot se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë ku u tentua të digjej makina në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë. Në pranga u vu në 28-vjeçar.
Detaje nga policia:
Në operacionin e koduar “Oktan”, u vu në pranga 28-vjeçari Endrit Jolldashi. 28 vjeçari do të akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, thanë se bazuar në provat e grumbulluara, ka rezultuar se ky shtetas, më datë 25.03.2022, ka hedhur një shishe, të dyshuar me lëndë djegëse, poshtë një automjeti në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit E. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë), veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, një shishe plastike e mbushur me benzinë, një pushkë sportive (detare), një biçikletë dhe dy aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.