Si përhapet koronavirusi në një restorant nëse një nga të pranishmit është pozitiv (dhe asimptomatik) dhe pse disa infektohen e disa të tjerë jo? Këto janë pyetje të rëndësishme në funksion të fillimit të fazës së emergjencës Covid-19, ku një studim pretendon se i ka dhënë përgjigje, duke rindërtuar një situatë reale që ka ndodhur në një restorant në Guangzhou të Kinës.
Hetimi, i cili pritet të botohet në muajin korrik në revistën Emerging Infectious Diseases nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, filloi nga rasti i infektimit të nëntë personave në një dhomë ku ishte i pranishëm një person i infektuar me Covid-19, i cili e transmetoi virusin tek të tjerët përmes frymëmarrjes dhe ndihmës së ajrit të lëshuar nga kondicioneri.
Ishte data 24 janar dhe 73 persona të tjerë ishin në të njëjtën kohë brenda restorantit, në të njëjtin kat, por ndryshe nga nëntë personat e infektuar, ata nuk ranë në kontakt me virusin. E njëjta gjë vlen edhe për tetë kamarierët që ishin në detyrë atë ditë, por që shpëtuan nga infektimi.
Personat që ishin në tavolinë me personin pozitiv me Covid-19 dhe ata që ishin në dy tavolinat e afërta, por në linjë me ajrin e lëshuar nga kondicioneri u infektuan. Studimi, i cili rindërton saktësisht skemën e origjinës së këtij shpërthimi “të vogël”, tregon se familja e emërtuar me fonemën “A”, kishte shkuar për drekë në një restorant në qytetin Guangzhou, pasi ishin kthyer nga Vuhani një ditë më parë.
Një grua, 63-vjeçe, sapo kishte ardhur dreka në tavolinë, kishte filluar të përjetonte simptomat e Covid-19, pasi kishte shkuar më vonë në spital, ajo zbuloi se ishte pozitive me Covid-19. Në kohëzgjatjen e dy javëve, duke filluar nga 24 janari deri më 5 shkurt, nëntë klientë të tjerë rezultuan me Covid-19, katër ishin persona të afërt të 63-vjeçares, të cilët mund të jenë infektuar jashtë restorantit, ndërsa pesë të tjerët mund të jene infektuar brenda restorantit.
Si mund të jenë infektuar?
Siç edhe mund të pritej rrjedha e ajrit të kondicionerit dhe vendosja e tavolinave të restorantit ishin thelbësore për infektimin. Pasi, tavolina e familjes “A”, ishte e pozicionuar në anën perëndimore të restorantit, prej rreth 145 metër katror, dhe gjendej në mes të tavolinave ku ishin vendosur familjet “B” dhe “C”.
Familja “B” dhe familja “A” kanë qenë në kontakt me njëra-tjetrën për 53 minuta, ndërsa tre persona, një çift dhe vajza e tyre, janë infektuar. Kurse familja “C” dhe familja “A” u vunë në kontakt për 73 minuta dhe gjithashtu edhe në këtë rast, një grua bashkë me vajzën e saj u infektuan me virusin Covid-19.
Të gjitha tavolinat në restorant kishin një largësi prej një metër, por tavolina e familjes “C”, prekej nga rrjedha e ajrit të kondicionerit, e cila vazhdonte të prekte edhe tre tavolina të tjera brenda restorantit.
Hulumtimi, i cili është i kufizuar duke pasur parasysh se studiuesit nuk kanë kryer eksperimente për të simuluar transmetimin e ajrit, megjithatë, ata analizuan gjashtë mostra të marra nga kondicioneri të cilat rezultuan se ishin negative.
“Faktori kryesor për infeksionin, – shpjeguan autorët e studimit, –ishte drejtimi i rrjedhës së ajrit, infeksioni që shpërndahet përmes frymëmarrjes, në të vërtetë, qëndron në ajër vetëm për një kohë të shkurtër dhe qarkullon në distanca të vogla, përgjithësisht 1 metër”.
Analiza shërben për të kuptuar se cilat do të jenë sfidat me të cilat do të përballen restorantet kur të rihapen. Pasi sistemet e ventilimit mund të krijojnë modele komplekse të rrjedhës së ajrit dhe të mbajnë më gjatë në hapësirë grimcat virale të aerosolit, kështu që distanca minimale prej 2 metra, mund të mos jetë e mjaftueshme për të mbrojtur klientët.
Në fakt, studiuesit, rekomandojnë në mënyrë që të parandalohet ngjitja e infeksionit në restorante apo mjedise të tjera të mbyllura, duhet të kontrollohet monitorimi i temperaturës, të rritet distance e tavolinave dhe të përmirësohet ventilimi.