Një djalë 9-vjeçar në lindje të Francës që u infektua me koronavirus nuk e transmetoi virusin tek ndonjë person me të cilin ishte në kontakt dhe bëhet fjalë për kontakte me më shumë se 170 njerëz, shkruan The Guardian.
Djali ishte ndër ata që ishin infektuar në rrethin e sipërmarrësit Steve Walsh, i cili u infektua gjatë një takimi në Singapor. Ai më pas shkoi në Contamines-Montjoie, një vendpushim skish francez me rreth dhjetë britanikë të tjerë, pas së cilës fluturoi për në Londër.
Shumica e të ftuarve në vendpushimin e skive ishin të infektuar, por një hetim nga autoritetet e shëndetit publik francez zbuloi se 9-vjeçari që kishte marrë virusin nuk e kishte përhapur infeksionin tek askush, edhe pse ai kishte qenë në kontakt me të paktën 172 persona.
Djali tregoi simptoma të frymëmarrjes, siç patën edhe prindërit e tij, por infeksioni nuk u konfirmua.
Studimi zbuloi se veç koronavirusit djali kishte dhe grip dhe ftohje. Ai infektoi vëllezërit e tij me grip, por jo me COVID.
“Djali, i cili gjithashtu kishte simptoma të sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes, ndoqi tre kurse për ski, por nuk infektoi askënd. Duket se është tregues i një përhapjeje potencialisht të ndryshme midis fëmijëve”, tha epidemiologu francez, Kostas Danis.
Djali kishte vetëm simptoma të buta dhe kur u testua, u zbuluan vetëm gjurmë të virusit, për të cilët shkencëtarët besojnë se është përgjigjja pse ai nuk e transmetoi virusin në të gjitha kontaktet e tij, ose të paktën disa prej tyre. Besohet se sistemi imunitar i fëmijës është më i fuqishëm se ai i të rriturve dhe e kalojnë lehtë virusin.