Njerëzit në Republikën Çeke mund të blejnë tani në dyqanet e pajisjeve elektronike apo të biçikletave, të luajnë tenis apo të notojnë nëpër pishina të mbyllura.
Austria planifikon të hapë bizneset e vogla pas të dielës së Pashkës.
Danimarka do të hapë kopshtet dhe shkollat javën tjetër nëse shifrat e pandemisë tregojnë stabilitet.
Në Norvegji, fëmijët do të shkojnë në kopshte një javë më vonë.
Këto janë vendet e para të Perëndimit që po fillojnë të lehtësojnë kufizimet e ndërmarra për të frenuar pandeminë.
Shumë vende të tjera do të duan të shohin se ç’mësim mund të marrin, teksa janë në kërkim të një rrugëdalje mes presionit social dhe ekonomik në rritje.
Në Gjermani, kancelarja Merkel tha se shifrat japin arsye për një shpresë të kujdesshme për hapjen e vendit, por vendimet për lehtësim do të merren bazuar në studime shkencore.
Por hapja, edhe pse graduale, do të shoqërohet me respektimin e distancës sociale.
Çdo shkelje e rregullave do të thotë rrezik. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se situata në Europë është ende shumë shqetësuese dhe nuk është tani koha për të lehtësuar kufizimet, pasi kontinenti është në qendër të pandemisë, me 7 nga 10 vendet më të infektuar në botë.
Një studim i bazuar mbi shpërthimin e pandemisë në Kinë, i publikuar në gazetën mjekësore, “The Lancet”, sugjeron se karantina nuk duhet hequr tërësisht derisa të zbulohet vaksina e duhur kundër Covid-19.