Shpeshherë njerëzit besojnë se lidhjet në distancë nuk i rezistojnë kohës, presionit të shoqërisë apo problemeve të tjera që shkakton largësia. Ndonëse një numër i madh studiuesish kanë thënë se çiftet që janë në një lidhje në distancë kanë marrëdhënie po aq të shëndetshme sa çiftet e tjera, sidomos kur marrëdhënia ndërtohet mbi bazën e respektit dhe sinqeritetit.
Sipas studimeve, të dhënat kanë treguar të njëjtin nivel kënaqësie në lidhjet në largësi. Kjo është e mundur pasi të qenit larg partnerit ju detyron të kujdeseni dhe t’u jepni më shumë rëndësi disa aspekteve të marrëdhënies, gjë që çiftet që janë pranë njëri-tjetrit shpeshherë e nënvlerësojnë. Studimet thonë gjithashtu se lidhjet në distancë mund të detyrojnë çiftet që të ndjekin praktika të veçanta për të mbajtur lidhjen e tyre të fortë.
Por sa mund të funksionojë një lidhje ku përgjatë disa viteve dy partnerët janë detyruar të mbajnë raportin e tyre pavarësisht sa larg njëri -tjetrit ndodhen.
Elsa Gjergji nga Tirana është vajza e cila na tregon se pavarësisht largësisë 3-vjeçare mes saj dhe partnerit, raporti me njëri-tjetrin, komunikimi i vazhdueshëm dhe sinqeriteti mes njëri-tjetrit, nuk kanë krijuar asnjëherë barriera mes tyre.
“Është e vështirë të mbash një marrëdhënie në këmbë kur dy partnerët janë larg njëri-tjetrit, por kur vendos disa rregulla në lidhje me njëri-tjetrin nuk mendoj se mund të ekzistojnë probleme. Natyrisht që kam pasur disa raste, kur kam menduar se gjërat mes meje dhe partnerit tim po merrnin tatëpjetën. Por duke u menduar dhe reflektuar të dy me veten, lidhja dhe dashuria që kemi ndaj njëri-tjetrit ka kapërcyer çdo problem dhe keqkuptim”, thotë Elsa. Ajo tregon se me partnerin kanë mbajtur një lidhje një distancë prej 3 vitesh e disa muaj dhe kjo për shkak të procedurave të dokumentave, pasi partneri i saj ndodhej në Amerikë dhe ajo në Shqipëri.
“Kur burrit tim (në atë kohë ishte i dashuri im) i erdhi përgjigja pozitive për lotarinë amerikane, mendoja si një lajm të bukur, por në të njëjtën kohë mendoja vazhdimisht se kjo largësi do të sfidonte lidhjen tonë dhe mund të çonte në ndarje. Unë isha e sigurtë në atë që mendoja dhe ndjeja për të, por asnjëherë koha nuk na kishte testuar, pasi ne përgjatë periudhës tonë të lidhjes nuk kishim qenë ndonjëherë larg njëri-tjetrit”, thotë Elsa.
Ajo tregon se fillimisht sfidat ishin të panumërta, pasi mungesa e komunikimit, mospërputhja e orareve dhe mungesa e kohës.
“Në fillim ishte e vështirë, pasi partneri im sapo shkoi në SHBA, u detyrua të fillonte dy punë për t’i mbijetuar realitetit atje. Oraret nuk përputheshin, pasi ne kishim një diferencë kohore prej gjashtë orësh. Kur ai mbaronte punën, në Shqipëri ishte mesnatë, kur ai zgjohej, unë isha në orarin e punës. Kjo filloi të shkaktonte probleme të vogla. Të dy po e ndjenim mungesën e komunikimit me njëri-tjetrin, por kjo nuk zgjati shumë. Pasi ai filloi të adaptohej me realitetin atje dhe e mori veten edhe financiarisht, vendosi të bënte vetëm një punë. Kjo krijoi me shumë hapësirë komunikimi për në të dy. Filluam të përshtateshim me oraret e njëri-tjetrit, të kishim më shumë kohë në dispozicion”, rrëfen Elsa.
Ajo tregon se jo gjithmonë gjërat funksionojnë njësoj. “Më duhet ta pranoj që si shumë çifte edhe ne kishim problemet tona, ndonjëherë shkaktoheshin nga keqkuptimi dhe ndonjëherë nga ndonjë arsye tjetër. Por duke qenë se përgjithësisht jemi të dy njerëz që reflektojmë dhe dimë të kërkojmë falje, kjo bënte që gjërat të stabilizoheshin mes nesh”, thotë ajo.
Duket se pritja ia ka vlejtur për Elsën. Ata të dy tashmë janë të martuar dhe kanë edhe një djalë së bashku.
Por çfarë thonë çiftet e tjera sa i përket lidhjes në distancë.
“Huffpost” ka bërë një përmbledhje të opinioneve dhe këshillave që kanë dhënë lexues të ndryshëm sa i përket kësaj teme.
1- T’i kushtoni më shumë kohë dhe vëmendje
Gjatë kolegjit, bashkëshorti im tani (i dashuri i atëhershëm) shkoi në shkollë gjatë gjithë vitit në Utah, ndërsa qëndrova në vendlindje dhe mbarova shkollën e mesme dhe pastaj shkova në një kolegj lokal. Edhe pse ishim të rinj, e dinim se duhej të mbanim në këmbë marrëdhënien tonë. Dhe ishim të vendosur që do ta kalonim këtë vit. Ne jemi bashku prej 12 vitesh, 7 vite kemi qenë në lidhje dhe prej 5 vitesh jemi të martuar. Nga kjo një gjë kemi mësuar. Ju duhet të punoni për të pasur një bazë shumë të fortë në marrëdhënien tuaj kur jeni në distancë të gjatë. Jini të hapur, të ndershëm dhe besnikë. Merrni kohë për të kuptuar se si dhe kur është më e mira për të komunikuar me njëri-tjetrin. Të gjitha gjërat për të cilat punoni gjatë një marrëdhënie normale do të kenë nevojë për përpjekje shtesë për një marrëdhënie të gjatë në distancë. “- Alexandra Starkovich, blogere në Family Urban
2- Vendosni disa rregulla bazë kur do të shihni njëri-tjetrin
Burri im dhe unë kemi qëndruar në distancë për 5 vite e gjysmë. Unë studioja në Toronto ndërsa ai në një universitet në Florida. Ne kishim një rregull që kurrë nuk duhet të kalonim më shumë se 6 javë pa u parë me njëri tjetrin. Kjo ndihmojë të mbanim raportin tonë.” Allison Boësher, shkrimtare e pavarur.
3- Telefononi dhe shkruani njëri-tjetrin gjatë gjithë ditës.
“Gruaja ime dhe unë duhet të bëjmë dy herë distancën në marrëdhënien tona. Kur takuam së pari, ajo jetonte rreth një orë larg në San Jose dhe unë në San Francisko. Pasi u martuam unë punoja në San Francisko dhe ajo ishte në Los Anxhelos dhe vetëm disa ditë në muaj e shihnim njëri-tjetrin. Mësuam që ju duhet të telefononi dhe të shkruani njëri-tjetrin gjatë ditës dhe të ndani çfarë po ndodh. Me fjalë të tjera, mos prisni të bëni të gjitha në një telefonatë në fund të ditës kur jeni të lodhur. Bëni partnerin tuaj pjesë të jetës suaj të përditshme”, Matty Staudt, shkrimtar dhe menaxher i përgjithshëm në Radio Urban Knights
4- Mos harroni të planifikoni datat e rregullta të Skype
“Është me të vërtetë thelbësore që ju dhe partneri juaj të keni një orar për kur do të flisni. Ne jemi me fat që kemi kaq shumë mënyra të ndryshme të kontaktit këto ditë, por mesazhet nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur një marrëdhënie në distancë. Për të mbajtur një marrëdhënie të fortë, duhet të flisni në telefon, por mundësisht në Skype, sa më shpesh që mundeni! “- Anna Genevieve Louise, bloger në The Wanderlust Collective
5- Festoni çdo gjë
“Unë dhe burri im u njohëm në kolegj. Por pasi mbaruam kolegjin u përballëm me distancën pasi jetonim shtete larg. Gjatë kësaj kohë mundoheshim të kujtonim çdo gjë që kishte të bënte me në të dy. Ndonëse nuk ishim bashkë për të festuar, në kujtonim çdo datë dhe çdo ngjarje që lidhej me lidhjen tonë. Ajo që kemi mësuar është kjo: Festoni gjithçka, edhe nëse nuk mund të jeni së bashku në person. Jeta është shumë e shkurtër”, Emily Nolan blogure.