Admir Murataj është një prej 11 të burgosurve shqiptarë që u arratisën nga burgu i Trikallës, në 23 mars të vitit 2013.
Ai ishte pjesë e arratisjes së bujshme që u krye në bashkëpunim me një grup të armatosur nga jashtë burgut, i cili në koordinim të plotë me 11 të burgosurit shqiptarë sulmuan me armë zjarri rojet, duke lënë të plagosur edhe dy prej tyre dhe mundën të largohen.
Madje, personat e armatosur kanë përdorur në përleshjen me forcat policore edhe granata difensive. Pak orë më vonë, ndërsa Ministria Greke e Drejtësisë deklaronte se bëhej fjalë për persona tepër të rrezikshëm të dënuar për grabitje të armatosura, trafik armësh dhe vjedhje, dy prej të arratisurve u vranë në përpjekje me forcat speciale.
Murataj thuhet se ka shpëtuar pas një beteje të vërtetë në zonën Koniska të prefekturës së Etoloakarnanias, ku të vrarët ishin Edison Lika dhe xhaxhai i tij.
Ai ka qenë i dënuar për një vjedhje me armë në një bankë në Lamia, kur me një bashkëpunëtor kanë mundur të rrëmbejnë 1 milion euro.
Edhe pasi u arrestua dhe u çua në burgun e Trikallës, paratë nuk u gjetën kurrë. Pas arratisjes, Murataj thuhet se u largua në Kosovë. Ndjekja e të arratisurve ka vazhduar për më se një muaj dhe gjatë operacionit janë vrarë nga të arratisurit, një grua e re në Korinth dhe një oficer policie.
Kurorëzimi i operacionit të forcave speciale greke ka qenë ndjekja dhe asgjësimi i Marian Kolës pranë kufirit shqiptar.