Kushtet ekologjike në Europë i vendosën majmunët në rrugën për t’u bërë njerëz miliona vjet para se Homo Sapiensi të evoluonte, thotë antropologu Dejvid Began. Pa zhvillimet që ndodhën në Europë, njerëzit nuk do të mund të evoluonin kurrë
Nga David Began*
Fantashkencë? Jo, ka ndodhur vërtet. Midis 20 deri në 7 milionë vjet më parë, Toka realisht ishte planeti i majmunëve. Të paktën 100 specie popullonin botën, para se të shfaqeshin njerëzit e parë. Ata ishin të shquar në numër dhe diversitet, por janë edhe më interesante ato që mund të na thonë mbi vetë origjinën tonë. Tiparet kryesore të njeriut, duke përfshirë trurin e madh, duart e zhdërvjellëta, qëndrimin e drejtë të trupit dhe fëmijërinë e gjatë, mund të gjurmohen që në atë periudhë. Dhe gjëja vërtet e habitshme, është se të gjitha këto tipare evoluuan te majmunët europianë.
Lajmi është plot me zbulime që ndryshojnë idetë tona mbi evolucionin e njeriut. Por, kur mendojmë për paraardhësit tanë, ne priremi të përqendrohemi te 8 milionë vitet e fundi, aty ku prejardhja jonë ndahet nga ajo e shimpanzeve. Po çfarë kishte më herët? Tri dekada studimi, më kanë bindur se kjo periudhë e hershme qe absolutisht vendimtare.
Nuk ka dyshim se majmunët e kanë origjinën nga Afrika, apo se evolucioni ynë më i fundit ka ndodhur atje. Por, për një periudhë midis këtyre dy zhvillimeve, majmunët qenë në prag të zhdukjes në kontinentin e tyre, ndërsa po lulëzonin në Europë. Për më tepër, transformimi i specieve europiane gjatë kësaj kohe, na ka bërë ne njerëzit ata që ne jemi sot.
Të dhënat fosile, tregojnë se majmunët filluan të ekzistonin në Afrikë rreth 26 milionë vjet më parë, dhe u vendosën në mënyrë përfundimtare ka 4 milionë vjet apo më shumë më vonë. Një i afërm i ngushtë, që ka jetuar 18 milionë vjet më parë, na jep një tablo të jashtëzakonshme të këtyre majmunëve të hershëm.
Mbetjet e Ekembos janë gjetur të ruajtura në Pompei – ashtu si në shtresat e hirit vullkanik në ishullin Rusinga në Kenia të Afrikës. Ajo që ne kemi është një kafshë me krahë dhe këmbë me gjatësi të barabarta, një shtyllë kurrizore të orientuar horizontalisht, dhe një tru në madhësinë e një babuini të sotëm. Me fjalë të tjera, Ekembo ngjan si një majmun pak më i madh, por me një ndryshim thelbësor – pa bisht.
Bishti i mundëson shumë majmunëve të balancojnë qëndrimin, por Ekembo kompensohet përmes pasjes së më shumë kyçeve, duarve më të fuqishme dhe këmbët për t’u kapur. Kjo i vendos majmunët në një rrugë të ndryshme nga majmunët e Botës së Vjetër. Një ndryshim i dytë i rëndësishëm ndodhi me një bashkëkohës të Ekembos, i quajtur Afropiteku.
Të dy duken shumë të ngjashëm nga qafa e poshtë, por kanë nofulla dhe dhëmbë shumë të ndryshëm. Ata të Afropitekut janë shumë më të fuqishëm, të përshtatur për të bluar materiale të forta. Të pajisur me këto cilësi, ata mund të nxirrnin lëndën ushqyese nga bimët me lëvore të padepërtueshme, për nofullat më të holla të Ekembove.
Mund të mos tingëllojë shumë mbresëlënëse, por kjo aftësi ka pasur pasoja të mëdha për majmunët. Me kapacitetin për të ngrënë një shumëllojshmëri të gjerë ushqimesh, ata mund të zgjeronin gamën e tyre nga Afrika, në Europë dhe Azi. Në e dimë se majmunët e vjetër në Europë, i përkisnin gjinisë së Grifopitekëve dhe që datojnë 17.5 milionë vjet më parë.
Ata trashëguan kafshimin e fuqishëm të Afropitekëve, por dhëmbët e tyre qenë pak më ndryshe, më të ngjashëm me ato të paraardhësve tanë më të hershëm e të drejtpërdrejtë të Afrikës. Sipas të dhënave fosile, grifopitët jetonin në pjesë të Gjermanisë dhe Turqisë së sotme, rreth 17 milionë vjet më parë. Në këtë kohë shumë pjesë të Europës i përkisnin zonës subtropikale. Sezonaliteti ishte e ulët dhe klima e përshtatshme për kafshë si majmunët, të cilët mbështeteshin në një furnizim të vazhdueshëm me fruta gjatë gjithë vitit.
Megjithatë, kur grifopitët emigruan në veri, kushtet do të dëshmoheshin shumë më të vështira – duke i detyruar ata që në fund të zhvillonin disa përshtatje të reja. Pasi lëvizën drejt veriut, grifopitët u rikthyen në jug, ndaj deri në rreth 15 milionë vjet më parë lloji i tyre mbulonte një sipërfaqe që shtrihej nga Europa në Afrikën Lindore.
Një anëtar i familjes, Nakolapiteku, që jetonte asokohe në Kenia, kishte evoluar gjymtyrët në bërryla dhe kyçe duarsh më të mëdhenj, ndoshta duke i paraprirë zhvillimit të krahëve më të gjata, që gjenden te majmunët e sotëm dhe njerëzit më të hershëm. Megjithatë, grifopitët duket se vdesin në Afrikë, ndonëse ne nuk e dimë pse. Në fakt, të dhënat fosile tregojnë se ndërmjet 14 dhe 8 milionë vjetëve më parë, majmunët atje qenë diçka e rrallë, dhe shumica ishin nga linja e lashtë e trashëgimisë që lidhej me Ekembon dhe të detyruar për t’u zhdukur.
Mbretërit e ritmit
Ndërkohë në Europë, majmunët po shfaqeshin si majmunë me pamjen e sotme. Rreth 12.5 milionë vjet më parë, u shfaq majmuni i parë me një qëndrim më të drejtë. Pierolapiteku, ndonjëherë i quajtur Driopiteku, dhe që u zbulua në Katalonjë në veri të Spanjës. Skeleti i pjesshëm ka një shtyllë më vertikale, një gjoks të gjerë, krahë më të gjata se këmbët, kyçet e duarve shumë të lëvizshme dhe gishtërinj të gjatë, të lakuar dhe të fuqishëm për kapjen e objekteve.
Këto karakteristika e bënin Driopitekun të dukej më shumë si majmunët e sotëm të mëdhenj. Ato gjithashtu dëshmojnë një tranzicion të madh nga ecja si një majmun mbi 4 katër këmbë te lëvizja si majmuni, duke u kacavjerrë nëpër degët e pemëve. Hispanopiteku, që jetoi në Katalonjën e sotme disa milionë vjet më vonë, kishte krahë të gjata dhe shtyllë kurrizore më të drejtë.
Po kështu edhe Rudapiteku, bashkëkohësi i tij në atë që është tani Hungaria. Më e rëndësishmja, në dijeninë tonë, Rudapiteku është majmuni i parë tek i cili zhvillohen dy karakteristika të tjera kryesore të majmunëve të mëdhenj modernë – një tru i madh dhe fëmijëri e zgjeruar. Në vitin 1999, ekipi im zbuloi një kafkë të mirëruajtur të Rudapitekut në sitin arkeologjik të Rudabanjas. Detajet strukturore – përfshirë skeletin, nofullat dhe bazën e kafkës – të gjitha ngjajnë me anatominë e majmunëve aktualë afrikanë, sidomos gorillave.
Truri ishte i krahasueshëm në madhësi me ato të shimpanzeve të sotme. Dhe dëshmitë nga studimet mbi rritjen e dhëmbëve, tregojnë se Rudapiteku ka patur një fëmijëri më të gjatë sesa paraardhësit e tij. Në librin tim të ri, “Planeti i vërtetë i Majmunëve”, unë argumentoj se këto dhe zhvillime të tjera të rëndësishme në evolucionin e majmunëve, u nxitën nga kushtet e vështira ekologjike që janë hasur në Europë.
Majmunët kolonizuan kontinentin gjatë fazës së ngrohtë të Miocenit, por duke filluar nga 14 milionë vjet më parë ai ishte duke u ftohur, pyjet qenë duke u bërë më pak të dendur dhe ushqimi më i rrallë. Për të mbijetuar, majmunët u detyruan të zhvillonin strategji të reja për të gjetur ushqim si nëpër pemë ashtu edhe në tokë. Kjo çoi në ndryshime fizike dhe njohëse. Truri i madh dhe fëmijëria më e gjatë, janë të lidhura me nivele më të larta të inteligjencës, kujtesës, mësimit kompleks dhe të menduarit strategjik, mjete të rëndësishme për majmunët që jetojnë në mjedise sfiduese sezonale – dhe cilësitë karakteristike të vetë species tonë.
Gradualisht, kushtet në Europë u bënë shumë e vështira për majmunët, dhe rreth 10 milionë vjet më parë ata e braktisën kontinentin për të shkuar në Afrikë. Atje, linja të veçanta të të afërmve tanë evoluuan, fillimisht në gorilla dhe pastaj shimpanzetë në njerëz. Por, anatomia dhe sjellja e njerëzve më të hershëm ka kuptim vetëm në dritën e majmunëve të epokës së Miocenit. Unë do të shkoja aq larg sa të thosha se pa zhvillimet që kanë ndodhur në Europë, njerëzit nuk do të mund të evoluonin kurrë.
*antropolog, universiteti i Torontos