Nga Moikom Zeqo
Vetëm një mendje delirante dhe e pa përgjegjshme mund të konceptojë një projekt të pakuptimtë prej 6 milionë eurosh të quajtur “Veliera” për një zbukurim, në zonën A të zonifikimit arkeologjik, në Durrës, që me ligj është e ndaluar për të bërë ndërtim. Në vend që të realizohet me urgjencë një projekt për kanalet nëntokësore, për të shmangur përmbytjet apokaliptike nga shirat, në këtë qytet – me 6 milionë euro zgjidhet ky problem substancial dhe ekzistencial-pushtetarët që bëjnë edhe urbanistin, edhe arkitektin, edhe gjithçka tjetër në narcicizmin e tyre mendojnë për katrahura betoni dhe kitsch-in e hapësirave.
Është diçka rebeluese, e dhimbshme deri në padurim, një protestë ndaj së keqes, fakti që aktualisht në qytetin e Durrësit po ndodh një katastrofë arkeologjike. Në zonën në afërsi të Portit, në hapësirën e shënjuar dhe nga kulla e rrumbullakët, e njohur si Torra Veneciane, ka kohë që po kryhen punime për të realizuar një farë projekti të çuditshëm me një emër akoma më të pabesueshëm, që lidhet me sheshin “Veliera” (kështu quhen anijet mesjetare me vela). Thuhet se ka një kontratë midis Bashkisë së Durrësit për monitorimin e punimeve nga Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik. Qeveria po shpenzon për projektin “Veliera” 6 milionë euro për zbukurimin e kësaj zone pranë Portit të Durrësit.
Ndërkohë, si qytetar dhe banor i qytetit të Durrësit, si arkeolog që kam punuar kaq vite në Muzeun Arkeologjik të këtij qyteti, duke i parë edhe monumentet, artefaktet, muret dhe objektet e tjera arkeologjike nën sipërfaqen e çarë të rrugës nuk mund të rri pa e ngritur zërin me shqetësim të jashtëzakonshëm, duke u bërë thirrje të gjithëve, kryeministrit, Bashkisë së Durrësit, tërë arkeologëve dhe specialistëve të monumenteve për të stimuluar dhe amplifikuar të gjitha protestat për të parandaluar ndalimin e këtij projekti të çuditshëm, të karakterit zbukurimor dhe jo substancial dhe urbanistik të qytetit të Durrësit. Aq më tepër që kam dëgjuar se tërë struktura konceptuar si një betonizim, përtej çdo simetrie apo elementi formal do të ketë (këtë nuk e di me siguri) edhe figurën, shëmbëlltyrën e një anieje me vela të bërë në beton, kuptohet, si një vepër e pakuptimtë dhe e shëmtuar e kitch-artit. Por ajo që më intereson më tepër është cenimi dhe masakrimi i arkeologjisë. Qyteti i Durrësit është qyteti më i lashtë i tërë vijës lindore të bregut të Adriatikut.
Ai është themeluar në shek.VII para Krishtit dhe është padyshim një nga qytetet polis të koleksionit më të ndritur të fundit të Epokës Arkaike dhe të fillimit të Epokës Klasike, në një territor ilir, të fisit të taulantëve, mbreti më i kryehershëm i të cilëve, sipas legjendës, apo mitit të treguar prej Apianit quhej Epidamn. Ky qytet përmendet në ngjarje të famshme të rëndësisë botërore të dorës së parë, siç është e famshmja Lufta e Peloponezit, të cilës i kushton një pjesë të madhe të veprës së tij Tukiditi, është pika strategjike, ku u bë beteja e famshme e Cesarit me Pompeun në vitin 68 para Krishtit; është qyteti kështjellë ku ushtritë e fuqishme normane të Guiskardit u ndesh me arbrit dhe Perandorinë Bizantine, për të mos harruar faktin që në 1272 Durrësi ka qenë dhe kryeqyteti i Regnum Albaniae (Mbretërisë Shqiptare) të anzhuinëve dhe bujarëve arbër. Hapësira urbanistike e këtij qyteti për arsye të kufizimit nga deti dhe nga ujërat e ish-kënetës ka qenëe vogël dhe përgjithësisht mbi 50 hektarë ka bërë të mundur strukturimin e qytetit në të gjitha epokat.
Në 1501 qyteti pushtohet nga osmanët dhe përjeton një rrënim gati të plotë. Në shek.XIX një student i ri që u bë një arkeolog i famshëm nga Anglia, Artur Evans vjen në qytetin e Durrësit dhe shkruan dhe boton në librin e tij “Illirians Letters” (“Letrat ilire”) se si administrata e Durrësit otoman digjte kapitelet, skulpturat e mrekullueshme prej mermeri, monumentet e tjera për të bërë gëlqere. Për qytetin e Durrësit Milan Shuflaj ka thënë se ai qe “lulishtja e Adriatikut”, një qytet ku gërshetohen kulturat e mëdha të Europës, qyteti i një peshe të jashtëzakonshme dhe të patjetërsueshme në Mesjetë dhe më vonë. Në 1508 Marin Barleti në librin e tij për Skënderbeun i bën një homazh të madh arkeologjisë në Durrës dhe është i pari që përshkruan ekzistencën e amfiteatrit. Amfiteatri u zbulua në 1966 dhe është vepra më e madhe inxhinierike dhe arkitekturore e Antikitetit në Shqipëri. Po në 1966 qyteti i Durrësit u vlerësua me një ligj të posaçëm për mbrojtjen me çdo kusht dhe në mënyrë shtetërore “të nëntokës arkeologjike”.
Asnjë qytet shqiptar nuk e ka ligjin për shpalljen “Muze të nëntokës” siç e ka Durrësi, as Shkodra, as Berati, as Gjirokastra etj. Mbi strukturën e amfiteatrit qe fragmenti i një lagjeje të tërë, u prishën tërë ato shtëpi për të dalë në dritë amfiteatri. U zbuluan termat romake të Durrësit, të cilat ruhen akoma dhe sot dhe janë të vizitueshme. Në vitet ’80 u zbulua qendra e shek.VI, sheshi rrethor me kolonada (rotonda.) Në atë kohë një ish-sekretar i PPSH-së në Durrës donte qe mbi këtë rotondë, të ngriheshin disa pallate, por unë kam reaguar së bashku me kolegët e mi arkeologë dhe arritëm ta ndalojmë këtë mynxyrë. Dhe rotondoja, sot është e vizitueshme. Për fat të keq gjatë këtyre 25 viteve të gjitha qeveritë e djathta apo të majta, të tërë ministrat e Kulturës pa përjashtim, as e kanë pasur idenë më të vogël, as kulturën për të ruajtur monumentet arkeologjike të Durrësit.
Këtë të vërtetë e them me një trishtim të madh. Klasa jonë politike e drejtuar nga njerëz me dituri sipërfaqësore nuk arriti të mbrojë trashëgiminë kulturore të arkeologjisë në Durrës. Po jap disa shembuj tronditës për të treguar se me gjithë përpjekjet e ndërmarra nga unë, strukturat e monumenteve janë shkatërruar apo kanë humbur. Kështu, tek ish-Shtëpia e Pionierit, që ka qenë dhe pallati i Princ Vidit, gjatë një prishjeje të pakuptimtë të kësaj ndërtese, e cila duhej ruajtur me doemos, u zbulua papritur Golden Gate (Porta e Artë) e rrugës Egnatia. Kjo ishte porta e trefishtë, ku fillonte rruga Egnatia nga Durrësi në Konstandinopojë. Porta në qendër, qe e madhe për të kaluar karrocat dhe kalorësit, dy porta anash më të vogla për të kaluar këmbësorët.
Ky zbulim qe i një rëndësie botërore, ky qe një zbulim unikal, që do ta shënjonte Durrësin si stacionin primar të rrugës ndërkontinentale të globalizmit romak të quajtur Egnatia, deri në Konstandinopojë. Bëra shumë shkrime në atë kohë, apele, por biznesmenët e pashpirt dhe pushtetarët diletantë bënë çmos dhe ndërtuan mbi strukturën e këtij kryemonumenti një pallat betoni. Rasti tjetër është akoma më tragjik edhe për shkak të një hapësire të madhe që përfaqësonte. Në ish-lulishten “1 Maji” u zbulua një lagje e tërë e qytetit antik, ku dukeshin qartë rrugët, struktura hipodamike urbane, me punishtet e përpunimit të qelqit, të terakotave, ngjyrave të tekstileve etj. Latinët thoshin: “Scripta manent”, dmth “E shkruara mbetet”. Bëra një numër shkrimesh në atë kohë që të ruhej kjo lagje antike.
Takova ministrat e kohës, specialistët, madje e çova zërin tim edhe në organizatat ndërkombëtare që merren me trashëgiminë botërore. Por ç’ndodhi? Ajo që mua më dukej e pabesueshme. Ajo që mua më dukej e pakonceptueshme. Edhe kjo lagje e tërë antike, e cila përfshinte në jetesën e saj deri në shek.VII pas Krishtit sot është e mbuluar nga struktura ogurzezë prej betoni e një pallati. Kjo lagje antike e Durrësit të kujton në arkeologjinë evropiane vetëm lagjet e Pompeut antik. Pompeun e mbuloi hiri i vullkanit dhe e ruajti në shekuj, kurse lagjen antike të Durrësit nuk e shpëtoi askush. As shteti, as arkeologët, as ministrat e Kulturës, as shoqëria civile, as shtypi, as mediat. E tmerrshme! Para shumë vitesh në bregun e detit u ndërtua një lulishte e mbiquajtur si parku arkeologjik i Durrësit, ku u ekspozuan shtylla dhe kapitele. Çdo gjë ishte midis gjelbërimit.
Shikoni sot se ç’ka ndodhur në këtë të ashtuquajtur Shëtitore të Durrësit, ku mbretëria e betonit është e plotfuqishme dhe gati e pamposhtur. Por le t’i kthehemi argumentit për zbulimet e fundit pranë Torrës Veneciane. Më vjen keq për kolegët e mi që janë në Institutin Arkeologjik. Më vjen keq sidomos për një instrument të tillë institucional të quajtur si Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik. Në këtë të fundit me sa jam informuar, mungojnë specialistët e arkeologjisë. Dhe kjo nuk është aspak profesionale. Qoftë Ministria e Kulturës, qoftë organizmat e tjerë duhet ta dinë shumë mirë se Durrësi ka të aprovuar me ligj zonifikimin arkeologjik dhe ky zonifikim parakupton mbrojtjen e objekteve që ndodhen në nëntokën e qytetit, sepse ato përbëjnë një trashëgimi të dyfishtë, sa të karakterit kombëtar, aq dhe të karakterit ndërkombëtar.
Kështjella e Durrësit e ndërtuar në kohën e perandorit me origjinë nga ky qytet, Anastasit të Bizantit dhe të vazhduar në përpunimin arkitektonik nga perandori tjetër i madh i Bizantit, Justiniani, përbëjnë shëmbëlltyrën e kështjellës bizantine më klasike, ndoshta në krejt trevat e ish-Perandorisë Bizantine. Në shek.XIV venecianët ndërtuan kullën e rrumbullakët të njohur si Torra Veneciane. Kjo kullë nuk ka qenë një element i vetmuar, por i strukturuar me mure të tjera dhe tërë zona rreth e qark kullës është e palejueshme që të gërmohet të paktën në një lartësi mbi 200 m nga perimetri i kullës. Për sa i përket procesit të zbulimit arkeologjik, çështja është akoma më e rëndësishme dhe absolutisht shkencore.
Nëse nën sipërfaqen e gërmuar në këtë zonë duken artefaktet të periudhës otomane të shek.XVI, koleksioni i shtresave kulturore dhe arkeologjike zbret më poshtë në Durrësin e periudhës së mesjetës së mesme, të Antikitetit të Vonë, të periudhës romake dhe vetëkuptohet akoma dhe më thellë. Por këto shtresa kulturore janë shkatërruar barbarisht me mjete mekanike të mëdha gërmuese. Përmenda më sipër arkeologun gjenial, Artur Evans. Ai ka gërmuar edhe në Trojë. Troja u zbulua nga një arkeolog diletant, që nuk i njihte metodat shkencore të imëta të arkeologjisë. Ky qe Shlimani. Ai e gjeti vërtet Trojën, por me gërmimet e tij pa kritere shkencore shkatërroi shumë prova arkeologjike. Ka mbetur e famshme thënia e Artur Evansit se, “Shlimani hyri në Trojë, si një elefant që hyn në një dyqan qelqurinash”.
E bëj këtë shkrim jo vetëm për një apel për vetëdijen qytetare. E di fare mirë që burokratët e pashpirt dhe të pakulturuar të këtij vendi do të bëjnë alibitë e tyre të pakuptimta, do të argumentojnë gjoja se nuk është bërë asnjë shkelje etj. Durrësi duhet shpallur një qytet i rrezikuar, një qytet në emergjencë për arkeologjinë. Për këtë duhet krijuar një komision dijetarësh, specialistësh dhe njerëzisht të ditur, seriozë dhe me vizion të madh kulturor për ta mbrojtur.
Me pikëllim mund të them se njerëz të tillë në administratën tonë të shtetit duket sikur nuk ekzistojnë më. Do të propozoja publikisht një Moratorium për ndalimin e gjithë ndërtimeve të reja në qytetin e Durrësit për 10 apo 20 vite. Kjo do ishte puna më e mençur dhe më e denjë që mund të bënim për gjeneratat e ardhshme për të mos na goditur dhe kritikuar me stigmën danteske. Ka ardhur koha që ata që bëjnë projektet në Durrës dhe kudo, projekte që i ngjajnë “Aegri somnia” (“Ëndrrat e të sëmurit – d.m.th gjepura”) të ndalojnë vrullin e tyre të spektaklit dhe të elementit të kotë dekorativ.
Arkeologjia në Durrës është shkatërruar gati në mënyrë të pariparueshme më. Gjatë këtyre 25 viteve, pushtetarët mediokër dhe të pashpirtë lejuan që të shkatërrohej gjithçka. Këto ditë shfletoja kryeveprën e poetit romak Ovidit (“Metamorfozat”), kënga e VIII, ku është dhe vargu kërthitës: “Aera non potiut Minos, alia omnia clausit”! Që në shqip do të thotë: “Vetëm ajrin nuk mundi, Gjithë të tjerat i mbylli Minosi”! Për një fat të keq dhe tragjik, qyteti i Durrësit që është matrica e gjithë qytetërimit tonë në shekuj ka pasur përballë përherë një Minos të Hadit, që ka synuar ta gëlltisë dhe të shkatërrojë me gjithçka.