Raportimi i vdekjes së doktorit që ishte një nga të parët që dha alarmin për koronavirusin në Wuhan ka shkaktuar zemërim të madh mbrëmjen e kaluar.
Fillimisht u dha lajmi se Li Wenliang kishte ndërruar jetë në spital pasi ishte prekur nga koronavirusi ndërkohë që trajtonte një pacient me këtë virus. Më pas, u raportua se nuk kishte vdekur, por ishte në gjendje të rëndë. Në fund, u dha përsëri lajmi se doktori vdiq.
Ishin rrjetet sociale ato ku qarkulloi në fillim lajmi i vdekjes. Më pas, gazeta e partisë në pushtet e konfirmoi këtë lajm. Pasi erdhi konfirmimi zyrtar, pati një reagim në Twitter edhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që shprehej “thellësisht e trishtuar” për vdekjen e Li. Më pas, OBSH e fshiu postimin duke thënë se nuk ka informacion mbi gjendjen e doktorit.
Ishte spitali i Wuhanit ai që e përgënjeshtroi lajmin duke publikuar një komunikatë ku thonte se doktori nuk ka vdekur, por është në gjendje të rëndë. Pas kësaj komunikate, gazeta e Partisë Komuniste e fshiu postimin e saj ku konfirmonte lajmin e vdekjes.
Disa orë më vonë, vetë spitali konfirmoi vdekjen e doktorit Li Wenliang. Gazeta e qeverisë sërish bëri postim duke konfirmuar lajmin.