Kryesore Siguria në kufirin lindor të NATO-s, Shqipëri-Mali i Zi stërvitje të përbashkët...

Siguria në kufirin lindor të NATO-s, Shqipëri-Mali i Zi stërvitje të përbashkët ushtarake

Shqipëria dhe Mali i Zi, prej pesë ditësh po zhvillojnë një stërvitje ushtarake të përbashkët. Stërvitja synon rritjen e aftësive profesionale dhe koordinimin luftarak, në kuadër të rritjes së sigurisë në kufirin lindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ndau në rrjetet sociale foto nga stërvitja që po zhvillohet mes forcave ushtarake të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Peleshi shkruan se kjo stërvitje siguron që efektivët e dy vendeve të jenë të përgatitur për misionet e ardhshme të Aleancës së NATO-s.

“Në kuadër të stërvitjes “Enhanced Vigilance Activity”, trupat tanë të Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, prej 5 ditësh po stërviten me efektivë të Forcave të Armatosura të Malit të Zi”, shkruan Peleshi.

“Kjo stërvitje përqendrohet në rritjen e aftësive profesionale dhe koordinimin e veprimeve luftarake në përputhje me detyrat e Grup-Batalionit të NATO-s në kufirin lindor”, vijon Peleshi.

“Përgatitja e trupave për misionet në kuadër të NATO-s, siguron që efektivët të jenë të përgatitur për të kryer detyrat e tyre në situata dhe terren të ngjashëm me ato që do të hasin në misionin e ardhshëm”, përfundoi ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi