Bota Situata e Covid në botë: Donald Trump pezullon emigracionin

Situata e Covid në botë: Donald Trump pezullon emigracionin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të hënën në mbrëmje se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të pezulluar përkohësisht emigracionin në Shtetet e Bashkuara. Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, Trump shkruan se vendimi vjen në kuadër të pandemisë nga armiku i padukshëm Covid 19-dhe nevojës për të mbrojtur vendet e punës së amerikanëve. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk ka sqaruar se kur do të hyjë në fuqi pezullimi dhe sa do të zgjasë ai, por gjasat janë të mëdha që ai të shkaktojë reagim politik dhe social. Situata e koronavirus në Shtetet e Bashkuara mbetet shqetësuese. Numri i viktimave si pasojë e Covid-19 ka arritur 42,094, kurse ai i të prekurve ne 784,326.

Francë

Efektet negative të karantinës kanë shkaktuar pasoja të rënda në Francë. Një grup të rinjsh i kanë vënë zjarrin koshave të plehrave dhe shkurreve në periferi të Parisit, në orët e para të së martës. Policia ka reaguar menjëherë dhe ka patrulluar gjithë natën në këto zona, ku duket se rregullat e ashpra për të frenuar koronavirusin kërcënojnë paqen e brishtë shoqërore. Mbi 20 mijë persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e virusit, duke u bërë kështu vendi i katërt që kalon këtë prag tragjik viktimash pas Italisë, Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara.

Britani e Madhe

Në Britaninë e Madhe ndërkohë ka dy realitete sa u përket shifrave. Shkalla e vërtetë e numrit të vdekjeve nga Covid-19 deri në 10 Prill ishte 41% më e lartë se shifrat ditore të publikuara nga qeveria, sipas të dhënave të publikuara sot më 21 Prill, të cilat përfshijnë vdekjet në komunitet. Zyra për Statistikat Kombëtare tha se regjistroi 13,112 vdekje deri në 10 Prill, krahasuar me 9,228 që ka njoftuar qeveria.

Gjermania

Gjermania nuk ka një situatë alarmante sa i përket pandemisë, por sërish autoritetet kanë vendosur zyrtarisht të anulojnë Oktoberfestin, festivali më i madh i birrës në botë. Rreth gjashtë milionë njerëz udhëtojnë drejt Mynihut çdo vit, ku shumica janë turistë të huaj.

Italia

Italia shënoi dje rënie të numrit të personave të prekur me koronavirus, për herë të parë që prej shpërthimit të pandemisë, por sërish është ende herët për hapjen e të gjitha aktiviteteve. Kryeministri konte tha se do të ishte papërgjegjshmëri e madhe hapja totale e ekonomisë, teksa specifikon se deri më 3 Maj, shumë biznese do të qëndrojnë të mbyllur.

Por sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, zgjedhja e shumë vendeve për të braktisur rregullat kundër koronavirusit mund të çojë në një rikthim po kaq agresiv të pandemisë. OBSH bën thirrje për të qenë të kujdesshëm në hapjen e ekonomisë, në kohën kur ende kemi një emergjencë shëndetësie me mbi 170 mijë të vdekur në të gjithë botën.