Përqindja e punonjësve me kontratë të përkohshme ka rënë gjatë vitit 2018 në nivelet më të ulëta që nga viti 2015.
INSTAT raportoi se në tremujorin e tretë, punonjësit me kontratë të përkohshme arritën në 9.7% të totalit të të punësuarve në vend. Kjo përqindje mbeti e pandryshuar me tremujorin e dytë, por ishte 3 pikë përqindje më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Ekspertët shpjegojnë se, punonjësit me kontratë të përkohshme në numër personash nuk kanë ndryshuar, por është rritur numri i të punësuarve me kontrata të plota pune.
Gjatë tremujorit të tretë 2018, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2017, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2,3% . Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 3,9% në sektorin e industrisë, 2,5% në sektorin e shërbimeve dhe 1,2% në sektorin e bujqësisë.
Që nga viti 2012, pesha e të punësuarve me kontratë të përkohshme është në një mesatare 13%. Norma e papunësisë ra në 12.2% në tremujorin e tretë të vitit. Me gjithë përmirësimin e pandërprerë të treguesve të tregut të punës, rritja e pagave vijon e ngadaltë.
Sektori publik është ofruesi më i madh i vendeve të punës me kontratë të përkohshme. Megjithatë tregu shqiptar i punës mbetet jo fleksibël në këtë drejtim, pasi ekonomia e shkallës nuk është zhvilluar dhe mungojnë sektorët me vlerë të shtuar.
Ndërmjetësimi në tregun e punës është gati jofunksional dhe bizneset shqiptare ende nuk e kanë pranuar në masë konspektin mbi kontrata e përkohshme të punës. Gjithashtu punëkërkuesit në Shqipëri janë të prirë të punësohen me orare të plota dhe kontrata të përhershme, për shkak se gjetja e një punë shpesh është një sfidë.
Banka e Shqipërisë arsyeton se, dinamika pozitive e punësimit u mbështet në masën më të madhe nga sektorët e shërbimeve dhe të industrisë. Njëkohësisht, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës vijoi të rritet, duke qëndruar në 59.4%. Rritja e punësimit mbetet kontribuuesi kryesor për uljen e shkallës së papunësisë.