Kryesore Presidenti Meta dekreton Ramën ministër për Europën dhe Punët e Jashtme

Presidenti Meta dekreton Ramën ministër për Europën dhe Punët e Jashtme

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar këtë të premte kryeministrin Edi Rama, për të pasuar në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushatin.
Kandidatura e kryeministrit iu dërgua kreut të Shtetit pas refuzimit që ky i fundit i bëri propozimit të kryeministrit Rama, Gent Cakaj, për postin e kryediplomatit të Shqipërisë.

Rama e gjeti këtë si një zgjidhje të përkohshme, derisa të ngrihet Gjykata e re Kushtetuese, që do të zgjidhë ngërçin mes Kryeministrisë dhe Presidencës.

Njëkohësisht, presidenti Meta ka dekretuar edhe shkarkimin nga detyra të ish-ministrit Bushati.

Njoftimi i Presidencës

Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestartë dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është njëveprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar.

Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që :   Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.